Tërhiqet nga Shqipëria? Zbulimi i medias greke për investimin e Kushnerit
- 13 hours ago
- 1 min read
Dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, po shqyrton mundësinë e tërheqjes nga projekti i shumëdiskutuar i ishullit të Sazanit në Shqipëri. Lajmi është publikuar nga media greke Greek City Times, e cila citon burime pranë Gazeta Journal.
Sipas raportimit, kompania e investimeve e Kushnerit po vlerëson tërheqjen nga projekti pas kundërshtimeve të forta publike, shqetësimeve mjedisore dhe hetimeve që lidhen me projektin në Shqipëri.
Artikulli thekson se investitori amerikan po shqyrton alternativa të tjera në rajon, ndërsa Greqia thuhet se ka ofruar kushte të favorshme për zhvillimin e investimeve luksoze në destinacione turistike si Mykonos. Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar nga Kushner apo kompania e tij për largimin nga projekti i Sazanit.
Projekti në Sazan dhe zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës ka qenë në qendër të debatit publik gjatë javëve të fundit. Mijëra qytetarë kanë protestuar kundër investimit, duke ngritur shqetësime për ndikimin në mjedis dhe biodiversitetin e zonës.
Ndërkohë, qeveria shqiptare ka mbrojtur projektin, duke argumentuar se ai do të sjellë investime të rëndësishme dhe zhvillim ekonomik, ndërsa më herët kryeministri ka deklaruar se plani fillestar është ndryshuar për të reduktuar ndërtimet dhe për të ruajtur karakterin natyror të ishullit.
“KORÇA BOOM”
















