U largua nga gjyshi gjatë lojës, gjendet i pajetë 3-vjeçari pas orëve të kërkimit
Babai i 3-vjeçarit Noah Woods, i cili dyshohet se u mbyt në një pellg pasi u largua nga gjyshi i tij, e ka përshkruar të birin si “djalin më të ëmbël dhe të pafajshëm”, që “kishte vetëm dashuri për të dhënë”.
Noah u pa për herë të fundit pasditen e së martës, pasi u largua nga gjyshi i tij në një kënd lojërash për fëmijë nën moshën 5 vjeç, në Merriam Close, Brantham, Suffolk.
Zhdukja e 3-vjeçarit shkaktoi një operacion të gjerë kërkimi, ku u angazhuan qindra vullnetarë, efektivë të policisë, roja bregdetare dhe shërbimet zjarrfikëse.
Sipas raportimeve, Noah u drejtua përmes një shtegu që të çonte drejt një zone pyjore dhe një pellgu të madh, duke bërë që ekipet e kërkimit të përqendronin operacionin në atë zonë.
Policia e Suffolk konfirmoi të mërkurën pasdite se zhytësit kishin nxjerrë nga pellgu “Decoy Pond” trupin e një fëmije. Në atë moment, autoritetet deklaruan se identiteti i fëmijës ende nuk ishte konfirmuar dhe se vdekja po trajtohej si e pashpjegueshme.
Policia bëri të ditur gjithashtu se nuk kishte elemente që të sugjeronin rrethana të dyshimta.
Më vonë, babai i 3-vjeçarit, Rhys Woods, konfirmoi se fëmija i gjetur në pellg ishte djali i tij.
Ai tregoi se Noah nuk fliste, ishte pjesërisht i shurdhër dhe po i nënshtrohej vlerësimeve për autizëm.
Babai i tij e kujtoi të birin me fjalë prekëse, duke e cilësuar si një fëmijë të ëmbël dhe të pafajshëm, që kishte vetëm dashuri për të dhënë.
“KORÇA BOOM”
















