U shemb xhadeja që lidh Shqipërinë me zonën juglindore të saj, jo vetëm me Korçën dhe Pogradecin, por...
- 2 hours ago
- 5 min read
Ne nuk e masim rrezikun që vjen nga amortizimi fizik i infrastrukturave sepse nuk investojnë për to. Themi hë mo se mban, hë mos se nuk e gjen gjë, hë mo ta shtyjmë si ta shtyjmë, dhe kjo politikë, kjo kulturë çnjerëzore qeverisjeje bën që të kujtohemi për tubat atëherë kur mbetemi pa ujë, jo më parë...
U shemb xhadeja që lidh Shqipërinë me zonën juglindore të saj, jo vetëm me Korçën dhe Pogradecin si dy perla të qytetërimit shqiptar, por edhe që shkakton një zinxhir dëmesh sociale, ekonomike dhe materiale, madje jo vetëm për vendin tonë.
Disa javë më parë Vlora mbeti pa ujë. Rrënime edhe në vende të tjera xhadesh. Në Vlorë e kishte fajin qeveria e para vitit 2013 sepse nuk kishte bërë mirë taposjen e tubave, kurse këtë herë e ka pasur fajin natyra, askush tjetër!!! Të gjithë kanë faj, vetëm politikat e qeverisjes jo! Asnjë.
Nuk është fjala për të bërë retorikë për diçka që është e qartë si drita e diellit.
Ajo që dua të them prej kohësh është e ndriçuar nga dy koncepte. I pari quhet amortizim moral i infrastrukturave, kurse i dyti quhet amortizim fizik i tyre.
Amortizimi moral vjen nga fakti se shumë teknologji, infrastruktura, shërbime, investime, makineri dalin jashtë përdorimit sepse edhe pse ende mund të punojnë, dalin të reja që i nxjerrin jashtë loje. Ta zemë pse të mbash një tren me naftë në punë, edhe pse punon, kur ke një tren elektrik!
Këtë amortizimin moral ne e kemi shumë qejf, sidomos kur nuk dihet dhe s'mund të dihet se lekë hidhen aty! Kemi qejf të prishim të vjetrën, edhe pse në gjendje të mirë, për diçka të modës, apo që duket se na ndryshon disi monotoninë.
Muzeu Kombëtar? I vjetër! Hiqe!
Piramida? E vjetër! Hiqe!
Sheshi? I vjetër hiqe!
Rruga Tiranë - Durrës? E vjetër! Hiqe!
Pallati i Kulturës? I vjetër! Hiqe!
Rëra e plazhit? E vjetër! Hiqe!
Porti? I vjetër! Hiqe!
Duhet të lëvizë paraja, ejjjj!
Amortizimi fizik vjen atëherë kur infrastruktura materiale dhe teknologjike bëhet e papërdorshme, amortizohet, del jashtë përdorimit, kur edhe fizikisht shkatërrohet, nuk mban më, nuk funksionon më. Është rasti kur treni ynë vjetrohet aq shumë sa nuk lëviz nga vendi për qamet.
Në rastin e ujësjellësit të Vlorës, të urës e rrugës për në Pogradec e më tutje deri në kufirin me Greqinë, a vepra të tjera, kemi arritur në amortizimin fizik. Infrastruktura është shkatërruar, nuk funksionon, nuk e kemi nxjerrë jashtë loje sepse kemi një më të mirë.
Amortizimi fizik krijon rrezik katastrofash të rënda. Imagjinojmë sa shumë na ka mbrojtur Zoti sepse ajo rrugë mund të shkonte në rrëpirë dhe të merrte me vete larg qoftë dhjetëra vetura, autobusa me turistë, me fëmijë dhe gjithçka.
Kush mendon se me probabilitet disa njerëz do të vriten, e siguroj se bën një politikë kriminale menaxhimi.
Krahasimi me atë fshatin e humbur në Itali që rrezikon ta marrë ujët, nuk ka vend. Përse?
Sepse atje banorët janë evakuar me kohë. Dhe se janë marrë masa sigurime shumë më përpara. Kurse ne na bie rruga që ecim mbi kokë, papritur, dhe askush nuk mban përgjegjësi!
E ka fajin natyra? Jam gati ta besoj naivisht, por pyes: Ku janë raportet teknike në vite? Ku janë agjencitë e sigurisë së rrugëve? Ku janë ekspertizat e pavarura? E ka fajin natyra? Patjetër ajo. Por: Pse nuk u konstatua që më parë rreziku? Kush i kontrollon rrugët, urat, bregdetetet, pemët që mund të të bien në tokë, ashensorët, themelet e pallateve të vjetra, shtyllat e elektrikut, të tensionit të lartë, tektonikën e qyteteve dhe pa fund gjera që amortizohen fizikisht?
Po e le infrastrukturën të degradojë, sigurisht, në fund, grushtin dërmues do t'ia japë natyra! Po nuk është ajo shkaku i shkatërrimit! Ajo është goditja e fundit. Goditjen e fundit cilësisë së tokës do t'ia japë shiu, edhe kodrës që bie nga erozioni, do t'ia japë tërmeti dhjetëra banesave të amortizuara, do t'ia japë stuhia pemëve që rrëzohen, do t'ia japë zjarri pyjeve të lëna në mëshirë të fatit.
Çdo gjë që vdes te qenia natyrore zhytet! E ka thënë Parmenidi përpara nja 3 mijë vjet dikur...
Kush e kontrollonte pra këtë rrugë, shkëmbinjtë mbi të pak më tutje, betonin e çarë të mureve mbajtëse, etj?
Ne nuk e masim rrezikun që vjen nga amortizimi fizik i infrastrukturave sepse nuk investojnë për to. Themi hë mo se mban, hë mos se nuk e gjen gjë, hë mo ta shtyjmë si ta shtyjmë, dhe kjo politikë, kjo kulturë çnjerëzore qeverisjeje bën që të kujtohemi për tubat atëherë kur mbetemi pa ujë, jo më parë, të kujtohemi për mirëmbajtjen e rrugëve kur ato gremisen në rrëpira apo çahen jo më parë, të kujtohemi për hidrovoret kur gjithçka përmbytet dhe jo më parë, të kujtohemi për qentë shpëtues kur ka rënë tërmeti, jo më parë.
Pse? Sepse nuk mendojmë të harxhojmë lekë për të parandaluar katastrofat duke përballur amortizimin fizik të infrastrukturave. Për to kujtohemi atëhere kur shpërthen skandali, jo më parë.
Shiheni rrugën paralel me autostradën Tiranë - Durrës, duket si në Rripin e Gazës!
Nuk ju mjafton: Shihni atë të Ndroqit që ngjan sikur është rrugë në Krime e bombarduar nga dronët rusë.
Mirë muret e rrugës çarë nga natyra, po rruga përse është pa vizime, pse në kthesa nuk ka pasqyra, pse nuk ka vija të bardha në zonat e banuara, semafore, pse nuk ka segmente hyrëse dhe dalëse me standard pranë zonave të banuara, kafeneve, restoranteve të rrugës, pse nuk ka vende pushimi për kamionët e peshave të rënda? Ehuuu, çfarë kërkon ti?, thotë prapanicë-lëpirësi i çdo pushteti!
Prandaj jemi shoqëri aksidentesh. Qeverisjes i duket e kotë të investojë për të matur degradimin fizik të shumë infrastrukturave. Të tjera ndodhi do të kemi. Hë mos se nuk ndodh gjë!
Kjo është kultura e menaxhimit të krizave rast pas rasti, jo e mirëmbajtjes së kulturës sonë materiale me anë agjencish përgjegjëse për to, jo me anë investimesh për të matur shkallën e degradimit fizik të infrastrukturave materiale.
Prandaj na duket se kemi lekë shumë për t'i harxhuar për lukse që fshehin abuzime financiare të llahtarshme. Na duket se Evropa është "borgjeze", që investon për të matur rrisqet gradualisht që vijnë nga amortizimi fizik.
Ne s'mendojmë për to! As mendojmë që për çdo aksident, shkatërrim, të ftojmë edhe ekspertizë të huaj, edhe grupe të pavarura ekspertësh, ai që jep paratë, ai që duhet ta mirëmbajë rrugën është edhe ai që bën ekspertizën, -madje edhe ai që thotë: "Ishte faj i natyrës!". Mundet, mundet, po ku është ekspertiza?
Ku është hapja e çështjes hetimore për krijim të një situate rreziku për sigurinë publike, për shëndetin publik, për sigurinë kombëtare.
Se ai fshati në Itali që i bie dheu është njëri në mijëra. Kurse ne një rrugë kemi për Korçe, Devoll, Prespë, Pogradec, juglindor, dhe ajo na shëmbet.
Pyesni a është bërë kontrolli teknik i përhershëm i ashensorit tuaj? Keni marrë ndonjë raport teknik për këtë?
Si është gjendja e tubacioneve disadekadashe të ujësjellësit? A janë brenda normave dhe standardeve të sotme?
A keni siguri kur ecni mbi ndonjë pllakë hekuri që mbulon ndonjë gropë në trotuar?
Ju jep ndokush ndonjë raport për përbërjen kimike të ujit që pini? Pse me këtë marrëdhënie publike do të merret ujësjellësi?
Dini ç'përbërje ka uji i liqenit ku fëmijët tuaj lahen pllaq - plluq?
Meqë përmenda trenin, dini gjë sa është siguria teknike e atij dinozauri që kalon duke fishkëllyer Durrës - Kavajë, në ca shina që një dreq e di sa mbajnë e sa nuk mbajnë?
E pafund si këto!/ Pamfleti
“KORÇA BOOM”
















