Ulje e fortë e taksës së naftës, ja sa pritet të bjerë çmimi
- Mar 20
- 1 min read
Këshilli i Ministrave ka njoftuar një masë të rëndësishme për stabilizimin e çmimeve të karburanteve, duke vendosur uljen me 20% të akcizës, krahas ringritjes së Bordit të Transparencës.
Aktualisht, akciza e karburanteve është rreth 40 lekë për litër pa TVSH. Me uljen e re prej 20%, ajo zbret në rreth 32 lekë për litër, duke krijuar një diferencë prej 8 lekësh për litër.
Kjo ulje pritet të reflektohet drejtpërdrejt në çmimin final për konsumatorët, me një reduktim të parashikuar prej të paktën 8-10 lekësh për litër, duke marrë në konsideratë edhe efektin e TVSH-së.
Masat vijnë në një moment kur çmimet e karburanteve kanë pësuar rritje të ndjeshme. Gjatë ditës së djeshme, nafta në tregun vendas u rrit me 10-15 lekë për litër, duke arritur nivele rekord prej rreth 204 lekësh për litër, më i larti që nga kriza e luftës Rusi-Ukrainë.
Në tregjet ndërkombëtare, nafta bruto po tregtohet rreth 100 dollarë për fuçi. Krahasuar me fundin e muajit shkurt, përpara nisjes së tensioneve në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës në Shqipëri ishte 170-175 lekë për litër, ndërsa në bursa varionte nga 65 deri në 70 dollarë për fuçi.
Autoritetet shpresojnë që kjo ndërhyrje fiskale të ndihmojë në lehtësimin e barrës për qytetarët dhe bizneset, si dhe në stabilizimin e tregut të karburanteve në vend.
"KORCA BOOM"
















