top of page

NAMI/ Temperaturat 7-8 gradë mbi normalen, ja cilat qarqe do të preken më shumë nga vala e të nxehtit

  • 4 days ago
  • 2 min read

Shqipëria pritet të përfshihet nga një valë e fortë të nxehti gjatë kësaj jave, si pasojë e masave ajrore të nxehta me origjinë afrikane që kanë përfshirë pothuajse të gjithë kontinentin europian.


Meteorologia Lajda Porja bëri të ditur se vendi ynë, ndonëse ndodhet në periferi të kësaj vale, do të përjetojë temperatura mjaft të larta, me qershorin që pritet të mbyllet me vlera 7 deri në 8 gradë më të larta se normat e zakonshme për këtë periudhë.


Sipas saj, deri në ditën e mërkurë temperaturat maksimale do të luhaten rreth 36 gradë Celsius, ndërsa në zona të izoluara mund të shkojnë edhe në 37 gradë. Megjithatë, pjesa e dytë e javës pritet të sjellë një tjetër rritje të ndjeshme të temperaturave, ku të premten dhe gjatë fundjavës termometri mund të arrijë deri në 37 apo 38 gradë Celsius.


Në pjesën e parë të javës, zonat më të ekspozuara ndaj të nxehtit do të jenë kryesisht ato verilindore, ndërsa nga dita e enjte e në vijim, rreziku më i madh do të zhvendoset në juglindje të vendit. Po ashtu, nuk përjashtohen edhe zonat qendrore si Tirana dhe Elbasani, ku në pjesën e dytë të ditës mund të ketë rrebeshe afatshkurtra shiu.


Meteorologia theksoi se temperaturat e larta do të vazhdojnë jo vetëm gjatë kësaj jave, por edhe në javën pasardhëse, duke bërë që ditët të jenë herë të nxehta e herë shumë të nxehta. Sipas saj, qarqet që pritet të regjistrojnë vlerat më të larta janë Shkodra, Berati, Elbasani dhe Gjirokastra.


Sa i përket orareve më problematike, ajo sqaroi se piku i temperaturave do të regjistrohet nga ora 10:30 deri në 14:30, interval në të cilin qytetarët këshillohen të shmangin lëvizjet e panevojshme, të qëndrojnë në ambiente të freskëta dhe të mos neglizhojnë hidratimin.


Për rajonin, situata paraqitet e ngjashme. Kosova dhe Maqedonia e Veriut po përballen me temperatura që arrijnë nga 31 deri në 34 gradë Celsius, ndërsa kulmi i të nxehtit pritet të shënohet në fundjavë. Në Kosovë parashikohet mot kryesisht i qëndrueshëm, me rrebeshe të izoluara, ndërsa në Maqedoninë e Veriut paraditet do të jenë shumë të nxehta dhe me diell, ndërsa pasditet do të shoqërohen me rrebeshe shiu, stuhi ere dhe herë pas here breshër.


Sipas parashikimeve, dita më e nxehtë për vendet e rajonit do të jetë e shtuna, ndërsa temperaturat e larta do të vijojnë edhe gjatë javës së ardhshme.

"KORÇA BOOM"


bottom of page