top of page

Vajit i lulediellit shtrenjtohet deri 8%; Importuesit: Çmimi do të arrijë 190 lekë për litër

  • 17 hours ago
  • 2 min read

Në tregun vendas përveç shtrenjtimit të naftës ka nisur edhe rritja e çmimeve për produktet ushqimore, e ndikuar nga shtrenjtimit e furnizimeve të importuesve.


Shtrenjtimi i lëndëve djegëse për rafineritë e përpunimit të vajit të lulediellit jashtë dhe tarifat për transport kanë sjellë që përgjatë muajit mars importuesit vendas të shtrenjtojnë çmimin e shitjes me shumicë të vajit ushqimor nga 7-8%.


Gjatë muajit shkurt, periudhë para nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, sipas importuesve vaji i lulediellit tregtohej me çmim shumice nga 176 deri 178 lekë për litër. Duke nisur nga java e tretë e muajit mars importuesit pohojnë se kanë qenë të detyruar të rrisin çmimin me rreth 5 lekë për litër, duke e çuar 182 deri 183 lekë për litër.


Nga fillimi i javës së fundit të muajit mars, importuesit e vajit të përpunuar që ambalazhohet në vend, thonë se do të ketë edhe një tjetër shtrenjtim të çmimit me 7 lekë të tjera për litër. Pas këtyre rritjeve, çmimi më shumicë i vajit ushqimor arrin 190 lekë për litër.


Një prej importuesit e vajit të lulediellit shpjegoi për “Monitor” se shkak i shtrenjtimit të çmimit është rritja e çmimit të produktit nga fabrikat prodhuese dhe shtrenjtimit të tarifave të transportit.


“Prodhuesit e vajit në Hungari nga ku furnizohet Shqipëria kanë rritur çmimin e shitjes së produktit, për shkak të rritjes së kostove nga karburanti dhe lëndët djegëse që përdorin rafineritë. Vetëm nga shtrenjtimi i lëndëve djegëse çmimet e furnizimeve janë rritur 1.5 lekë për litër.


Pas nisjes së luftës shtrenjtim të ndjeshëm ka pasur edhe për tarifat e transportit. Nëse gjatë muajit shkurt për transportin e 1 ton vaj paguhej tarifa nga 140 deri 160 USD, pas nisjes së luftës tarifa e transportit arriti 200 USD për ton. Kjo e shtrenjton edhe 1 lekë tjetër për litër vajin e importuar.”


Situatë e ngjashme me shtrenjtim të çmimeve për vajin ushqimor të lulediellit ndodhi edhe gjatë muajit mars 2022.


Pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë dhe vështirësive të krijuara në importin e vajit të lulediellit, çmimet në tregun shqiptar u rritën me rreth 33%. Në muajin mars 2022, çmimi i vajit të lulediellit në tregun e pakicës u tregtua 330 lekë për litër nga 249 lekë për litër në muajin shkurt (32,5% rritje).


Pas kësaj periudhe, çmimi u rrit edhe rreth 9% dhe arriti 370 lekë për litër, ndërsa në mesin e muajit prill, çmimi i vajit me pakicë arriti pikun 400 lekë për litër.


Ekspertët nënvizojnë se mungesa e prodhimit të vajit ushqimor vendas tregoi edhe një herë se ekonomisë shqiptare i mungoi amortizatori kryesor për të frenuar inflacionin e çmimit.


Shqipëria ka pasur dy rafineri të përpunimit të vajit, fabrikën e kompanisë “Olim” dhe të shoqërisë “Vajra bimore” që tregtonte vajin “Fiol”, por aktualisht asnjë prej tyre nuk importon vaj të papërpunuar (grexho) dhe ta rafinojë atë duke e kthyer në vaj ushqimor. Prej 2016, prej gati 1 dekade kompanitë përpunuese janë kthyer në ambalazhues të vajit të përpunuar të importit. / D.Azo

“KORÇA BOOM”


bottom of page