“Valbona” e vëllezërve Kondili: Historia e arkitekturës italiane dhe vizitave të shquara
- 15 hours ago
- 2 min read
Kjo vilë e vëllezërve Kondili, ndërtimi i së cilës nisi në vitin 1928 dhe përfundoi në vitin 1933 në Korçë, përfaqëson një nga shembujt më të bukur të arkitekturës italiane në këtë qytet, që njohu lulëzimin e tij në vitet 1920 dhe 1930. Për regjimin komunist, vila u pagëzua me emrin “Valbona”, ndërsa më vonë u njoh si “Turizmi i Vjetër”.
Arqile, Aristotel dhe Lefter Kondili, tre vëllezër me vizion, vendosën të ndërtojnë një shtëpi banimi në atë kohë në zonën periferike të qytetit, duke u frymëzuar nga shtëpitë e aristokracisë italiane. Dy prej tyre, pasi kishin studiuar në Vjenë, projektimin dhe zbatimin ia besuan një arkitekti austriak. Rezultati ishte një ndërtesë magjepsëse, me mermer dhe pllaka të importuara nga Italia, dyer dhe dritare sipas modelit italian, dhe arredim tipik italian që ruhet edhe sot.
Ndër vizitorët e shpeshtë të familjes Kondili në ato vite ishte edhe Enver Hoxha, shok klase i Lefterit në Liceun Francez. Ai, si djalë i ri, rrinte pranë dritares duke shikuar jashtë për orë të tëra, pa e ditur askush se një ditë do të bëhej kreu i shtetit shqiptar. Në vitet 1945-1946, Hoxha rikthehet në këtë vilë së bashku me Koçi Xoxën, ku akomodohet në dhomën më të mirë të ndërtesës.
Në vitin 1950, vila ndryshon pronarët dhe historinë e saj. Me vendim të qeverisë komuniste, pronarët u larguan dhe godina kaloi në pronësi shtetërore. Gjatë periudhës së komunizmit, ajo u transformua për përdorim publik dhe u bë edhe një shtesë, duke shërbyer si lokal publik i njohur si “Valbona”. Ky funksion mbeti deri në vitet 1970, ndërsa në qendër të qytetit ndërtesat e reja po zëvendësonin gradualisht arkitekturën italiane.
"KORCA BOOM"
















