Veliaj kërkon masë më të butë, ofron garanci pasurore në Apel
- 2 hours ago
- 1 min read
Kryebashkiaku i Tiranë, Erion Veliaj, i është drejtuar me ankim Apeli i Posaçëm kundër vendimit të dhënë më 1 shkurt nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, e cila la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj tij. Vendimi ishte marrë nga gjyqtarja Etleva Deda.
Në kërkesën e depozituar në Apel, Veliaj kundërshton vijimin e arrestit me burg dhe kërkon zëvendësimin e kësaj mase me një masë më të butë sigurie. Ai ka ofruar gjithashtu garanci pasurore, duke argumentuar se nuk ekzistojnë kushtet për mbajtjen e tij në paraburgim.
Apeli ka regjistruar zyrtarisht ankimin dhe ka caktuar gjyqtaren Nertina Kosova për shqyrtimin e çështjes. Seanca për shqyrtimin e kërkesës është planifikuar të zhvillohet më 24 shkurt.
Ankimi i Veliajt vjen menjëherë pasi Gjykata e Posaçme vendosi kalimin për gjykim të dosjes penale në ngarkim të tij, duke hapur rrugën për nisjen e procesit gjyqësor në themel.
Në vijim pritet që Apeli të vendosë nëse do të lërë në fuqi masën aktuale të sigurisë apo do të pranojë kërkesën për zbutjen e saj.
"KORCA BOOM"



















