VENDIMI I RI/ Të gjitha makinat e reja me kamera që monitoron shoferin, ja çfarë kontrollon
top of page

VENDIMI I RI/ Të gjitha makinat e reja me kamera që monitoron shoferin, ja çfarë kontrollon

  • 11 hours ago
  • 2 min read

Sistemi i ri do të paralajmërojë drejtuesit kur shpërqendrohen, ndërsa autoritetet sqarojnë se të dhënat nuk ruhen dhe nuk transmetohen jashtë automjetit.


Bashkimi Evropian ka vendosur që të gjitha automjetet e reja që dalin në treg të pajisen me një kamerë inteligjente që monitoron nivelin e vëmendjes së shoferit gjatë drejtimit. Masa synon të rrisë sigurinë rrugore dhe të reduktojë aksidentet e shkaktuara nga shpërqendrimi i drejtuesve të mjeteve.


Sistemi, i quajtur Advanced Driver Distraction Warning (ADDW), analizon në kohë reale drejtimin e shikimit, lëvizjet e kokës dhe pozicionin e syve për të kuptuar nëse shoferi po e largon vëmendjen nga rruga. Nëse konstatohet shpërqendrim përtej kufijve të lejuar, sistemi lëshon një paralajmërim për ta rikthyer shoferin në fokus.

Sipas rregullores së BE-së, paralajmërimi aktivizohet:


në shpejtësi 20–50 km/h, nëse shoferi nuk sheh rrugën për 6 sekonda ose më shumë;

mbi 50 km/h, nëse vëmendja largohet nga rruga për më shumë se 3.5 sekonda.


Risia ka ngjallur debat në rrjetet sociale, ku shumë përdorues kanë shprehur shqetësime për privatësinë dhe mundësinë e mbikëqyrjes së vazhdueshme. Megjithatë, rregullorja e BE-së përcakton qartë se sistemi nuk regjistron video afatgjata, nuk regjistron audio dhe nuk krijon një arkiv të udhëtimeve.


Të dhënat përpunohen vetëm brenda automjetit dhe nuk transmetohen në internet, as te prodhuesi i makinës dhe as te autoritetet shtetërore. Videoja mbishkruhet vazhdimisht dhe përdoret vetëm për analizën e menjëhershme të vëmendjes së shoferit.


Po ashtu, sistemi nuk lejohet të mbledhë të dhëna biometrike apo të identifikojë personin që ndodhet pas timonit. Ai është projektuar vetëm për të vlerësuar nëse drejtuesi po i kushton vëmendje rrugës, në përputhje me rregullat e GDPR për mbrojtjen e të dhënave personale.


Detyrimi vlen vetëm për automjetet e reja që hidhen në tregun e Bashkimit Evropian. Automjetet që janë tashmë në qarkullim nuk kanë nevojë të pajisen me këtë teknologji dhe mund të vazhdojnë të përdoren normalisht. Për automjetet e rënda komerciale dhe kamionët, kjo kërkesë do të hyjë në fuqi nga viti 2029.

“KORÇA BOOM”


bottom of page