Vendimi që ndezi debat: Devolli kërkon transparencë nga Komisioni i Disiplinës
- 2 hours ago
- 2 min read
Është rrëzuar kërkesa e Klubit të Futbollit Devolli lidhur me pretendimin për aktivizimin e lojtarëve që nuk kishin të drejtë të luanin në ndeshjen mes KF Devolli dhe Bylis B.
Sipas vendimit përkatës, kërkesa e paraqitur nga klubi është konsideruar e pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës. Pas shqyrtimit të çështjes, organet përkatëse vendosën të mos pranojnë pretendimet për aktivizim të parregullt të lojtarëve, duke lënë në fuqi rezultatin e ndeshjes.
Megjithatë, vendimi ka ngjallur reagime dhe pakënaqësi në radhët e klubit dhe komunitetit sportiv të Devollit. Sipas tyre, dokumentacioni i paraqitur ishte i qartë dhe i argumentuar me fakte konkrete. Ata theksojnë se në rregullore përcaktohet qartë se një lojtar nuk mund të aktivizohet në dy ndeshje brenda 24 orëve, çka sipas tyre përbën një shkelje të dukshme.
Po ashtu, sipas përfaqësuesve të klubit, ekziston edhe një tjetër pikë e rëndësishme në rregullore: Një futbollist që ka zhvilluar 10 ndeshje në Superligë nuk mund të aktivizohet më në një kategori më të ulët. Sipas pretendimeve të tyre, në rastin konkret janë katër futbollistë që kanë pasur mbi dhjetë ndeshje në Superligë, fakt që sipas tyre është i dokumentuar.
Për këtë arsye, nga ana e klubit dhe mbështetësve të tij kërkohet që Komisioni i Disiplinës dhe Etikës të dalë me një sqarim të qartë publik, duke argumentuar nëse dokumentacioni i paraqitur ishte apo jo i saktë dhe nëse këto pika të rregullores janë marrë parasysh në vendimin e marrë.
Sipas tyre, komuniteti sportiv që mbështet ekipin, shpesh edhe me sakrifica financiare, meriton transparencë dhe drejtësi. Për më tepër, theksohet se është paguar edhe tarifa për shqyrtimin e çështjes nga komisioni, ndaj kërkohet një përgjigje e argumentuar zyrtarisht.
Në këtë situatë, mbetet që Komisioni i Disiplinës dhe Etikës të japë një shpjegim të plotë për vendimin e tij, në mënyrë që të sqarohet nëse këto pretendime janë të vërteta apo jo dhe të shmangen dyshimet mbi drejtësinë sportive.
"KORCA BOOM"
















