Violinisti shqiptar kapet me 38.3 kg k*kainë në Francë, zbardhen dëshmia dhe pagesa që do të merrte
- 2 days ago
- 2 min read
Violinisti shqiptar Beng Bakalli, 45 vjeç, është lënë në paraburgim nga gjykata franceze, pasi u arrestua në La Turbie me 38.3 kilogramë kokainë të fshehur në automjetin me të cilin po udhëtonte drejt Italisë.
Para gjykatës, Bakalli ka treguar versionin e tij për mënyrën se si u përfshi në transportin e drogës. Sipas medias franceze “Nice Matin”, ai ka deklaruar se kishte pranuar ta kryente transportin kundrejt një pagese prej 20 mijë eurosh.
Violinisti ka thënë se kontakti për këtë udhëtim kishte ardhur përmes disa personave që kishte njohur gjatë një udhëtimi në Shqipëri. Ai ka mohuar se ishte kërcënuar apo detyruar dhe ka pretenduar se nuk kishte dijeni të plotë për personat e tjerë të përfshirë.
Droga u zbulua gjatë kontrollit të një automjeti Citroën C5 Aircross, ku policia gjeti dy ndarje të fshehta të ndërtuara në dysheme. Sasia prej 38.3 kilogramësh kokainë vlerësohet në rreth 2 milionë euro në tregun e paligjshëm.
Pas arrestimit, autoritetet kontrolluan edhe banesën e Bakallit në Franche-Comté. Aty u gjetën katër armë zjarri, një jelek antiplumb, qindra fishekë dhe 88,900 euro cash. Për armët, ai deklaroi se ishte qitës sportiv, ndërsa për paratë tha se i kishte marrë si dhuratë nga babai i tij.
Prokuroria ka shfaqur skepticizëm ndaj këtyre shpjegimeve dhe ka kërkuar që ai të qëndrojë në paraburgim, duke theksuar sasinë e madhe të drogës dhe mënyrën e sofistikuar të fshehjes së saj.
Në fund të seancës, Bakalli shprehu pendesë para gjykatës: “Nuk mund ta kuptoj madhësinë e asaj që kam bërë. E kuptoj që do të humbas gjithçka”.
Procesi ndaj tij pritet të nisë në tetor. Nëse shpallet fajtor për akuzat që rëndojnë ndaj tij, ai rrezikon deri në 10 vjet burg.
“KORÇA BOOM”
















