top of page

VOLEJBOLL FEMRA/ Derbi juglindor është i Pogradecit, liqenoret ngrenë lart Kupën e FSHV

5 hours ago
2 min read

Pogradeci vijon serinë e sukseseve në volejbollin e femrave, teksa për herë të parë në historinë e klubit ka shkruar emrin si fitues në Kupën e FSHV-së.


Liqenoret, fituese të çdo kompeticioni ku morën pjesë në sezonin e kaluar, e kanë nisur me këmbë të mbarë edhe edicionin 2026-2027 në sportin e rrjetës, duke ngritur lart trofeun e parë zyrtar të axhendës së Federatës Shqiptare të Volejbollit.


Vajzat e trajnerit Besnik Lisha kaluan me sukses finalen kundër Skënderbeut, duke dalë trumfuese me rezultatin 1-3 në përballjen që u zhvillua mbrëmjen e djeshme në Farkë. Derbi i juglindjes dhuroi një lojë të fortë, me dy skuadra që shihen si pretendente për trofetë e sezonit, por vajzat e Pogradecit u treguan më të sakta, për të merituar edhe suksesin pas një takimi që zgjati 2 orë e 12 minuta.


Liqenoret e nisën sfidën me përqendrimin e duhur dhe të organizuara mjaft mirë, duke dominuar në setin e parë, të cilin e morën thellë 15-25. Megjithatë, korçaret e trajnerit Erjols Haxhillari ia dolën të reagonin shpejt, duke korrigjuar gabimet, për t’u shpërblyer me fitoren 25- 23 në setin e dytë. Kështu, gjithçka shkoi në baraspeshë, ndërsa Skënderbeu pati një nisje më të mirë edhe në setin e tretë, por gradualisht Pogradeci fitoi terren, për të triumfuar 22- 25, duke kaluar në epërsi 1-2 me sete.


Fraksioni i katërt i finales nuk pati shumë histori, pasi pogradecaret ishin gjithnjë përpara dhe arritën që të fitonin bindshëm në shifrat 19-25. Zv.presidenti i FSHV-së, Konalsi Gjoka, i dorëzoi trofeun e Kupës së Federatës kapitenes së Pogradecit, Kejda Kodrës.


Më tej kishte vend për festën e merituar të skuadrës liqenore, me Pogradecin që çon në muzeun e klubit një tjetër trofe, duke vijuar serinë e rezultateve të shkëlqyera. Një projekt që lindi pak vite më parë, e ka shndërruar skuadrën liqenore në një kohë shumë të shkurtër në kryefjalën e volejbollit të shqiptar për vajza./ Panorama Sport

“KORÇA BOOM”


bottom of page