Vr*u gruan dhe vëllain e saj, vetëdorëzohet biznesmeni/ I gjenden 500 fishekë pas bastisjes së shtëpisë
Valon Ramushi i dyshuari për vrasjen e gruas së tij dhe vëllait të saj në fshatin Livoç i Ulët, në Gjilan, është vetëdorëzuar në polici. Ndërkohë, personi i tretë i plagosur, i cili sipas informacioneve është xhaxhai i gruas, ndodhet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.
Sipas mjekut Suat Haliti, 30-vjeçarja që humbi jetën kishte tetë plagë nga arma e zjarrit në trup.
Policia e Kosovës tha se pas krimit të rëndë kanë bastisur shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit Valon Ramushi ku gjetën armë pa leje.
Në fshatin Livoç të Ulët të Gjilanit burri dyshohet se vrau bashkëshorten e tij dhe vëllain e saj, si dhe plagosi djalin e axhës të viktimave, i cili po trajtohet në QKUK..
“Me urdhër të prokurorit janë kryer bastisje në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe 1600 diabolla të pushkës pneumatike. Gjithashtu si prova materiale janë sekuestruar edhe disa telefona celularë dhe DVR të kamerave”, tha policia.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:30, kur 27-vjeçarja Nafije Bogujevci dhe vëllai i saj 31-vjeçar, Egzon Bogujevci, u qëlluan për vdekje me armë zjarri. I dyshuari kryesor për krimin është Valon Ramushi, bashkëshorti i 27-vjeçares, i cili pas ngjarjes është vetëdorëzuar në polici.
Gjatë hetimeve është sekuestruar një pistoletë e markës “Beretta”, me leje të skaduar, e cila dyshohet se është përdorur nga autori për kryerjen e krimit. Autoritetet kanë ushtruar gjithashtu kontrolle në tri prona që lidhen me të dyshuarin, ku janë gjetur dhe sekuestruar prova të tjera materiale.
Një tjetër detaj i bërë publik nga Prokuroria është se Valon Ramushi nuk rezulton të ketë precedentë penalë. Po ashtu, ndaj tij nuk ishin raportuar më parë raste të dhunës në familje.
Ramushi është i përfshirë në aktivitete biznesi në zonën e Gjilanit. Ai zotëron një kompani dhe një kompleks banimi në Makresh.
“KORÇA BOOM”
















