top of page

Vrasja e dyfishtë/ Pas natës së përgjakshme, dalin në dritë emra dhe prova të reja

  • Writer: Korca Boom
    Korca Boom
  • 5 hours ago
  • 2 min read

“Çfarë nuk përputhet në dëshmitë për vrasjen në Manzë – hetuesit zbulojnë detaje të reja pas orëve të gjata marrjesh në pyetje.


Zbardhen detajet e konfliktit të përgjakshëm në Manzë, arrestohen 4 të rinj – në kërkim autori i dyshuar i vrasjes dhe një bashkëpunëtor


Durrës – Hetimet e thelluara të Policisë dhe Prokurorisë së Durrësit kanë zbardhur dinamikën e ngjarjes së rëndë të ndodhur në orët e para të 22 tetorit në fshatin Manzë, ku për shkak të një konflikti për motive të dobëta humbën jetën dy të rinj.


Sipas të dhënave zyrtare, në pranga kanë rënë për moskallëzim krimi katër persona të përfshirë në ngjarje: Ergi Kadiu (21 vjeç), Erald Cani (25 vjeç), Taulant Beqja (37 vjeç) dhe Emirjan Beqja (34 vjeç), të gjithë banues në Manzë.


Ndërkohë, autoritetet kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy persona:


– Daniel Pepa (21 vjeç), banues në Manzë, i dyshuar si autor i vrasjes me dashje dhe për mbajtje pa leje të armëve;


– Gëzim Allçi (30 vjeç), banues në Manzë, i akuzuar për përkrahje të autorit të krimit, mbajtje pa leje të armëve dhe moskallëzim krimi.


Si ndodhi ngjarja


Nga hetimet e deritanishme rezulton se Daniel Pepa ka hyrë në lokalin pranë një karburanti në Manzë, ku për arsye të vogla është konfliktuar verbalisht me kamarierin dhe me Flori Paluçin (33 vjeç), i cili ndodhej në lokal me disa persona, mes tyre edhe Erald Canin.


Pas debatit, Pepa është larguar me automjet, por është rikthyer pas pak minutash së bashku me Aranit Kurtin (23 vjeç) dhe Ergi Kadiun.


Gjatë përpjekjes për të hyrë sërish në lokal, Flori Paluçi ka dalë jashtë dhe dyshohet se ka qëlluar në tokë me armë zjarri. Në atë moment, Daniel Pepa ka qëlluar drejt Paluçit, duke e plagosur, ndërsa Paluçi është përgjigjur me armë në drejtim të Pepës dhe Kurtit, të cilët ndodheshin përballë tij. Në këtë përplasje të armatosur mbetën të vrarë Flori Paluçi dhe Aranit Kurti, ndërsa Pepa u largua menjëherë nga vendngjarja.


Sipas hetuesve, Gëzim Allçi dyshohet se ka ndihmuar Pepën të largohej pas ngjarjes.

Hetimet në vijim


Policia e Durrësit ka organizuar operacione intensive për kapjen e Daniel Pepës dhe Gëzim Allçit, ndërsa po mblidhen prova të tjera që do ndihmojnë në dokumentimin e plotë të përgjegjësive penale të personave të përfshirë në këtë ngjarje.


Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore. /noa.al

“KORÇA BOOM”

ree

bottom of page