Zjarret dalin jashtë kontrollit, tre zjarrfikës humbin jetën
top of page

Zjarret dalin jashtë kontrollit, tre zjarrfikës humbin jetën

  • 9 hours ago
  • 2 min read

Bilanci i zjarreve masive që kanë përfshirë Greqinë është rënduar ndjeshëm, pasi tre zjarrfikës kanë humbur jetën gjatë përpjekjeve për të vënë nën kontroll flakët, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë.


Sipas Shërbimit Zjarrfikës grek, dy efektivë, të moshës 25 dhe 58 vjeç, humbën jetën në zonën e Rethymnos, në ishullin e Kretës. Ata po ndërhynin në një zonë të izoluar kur u rrethuan nga flakët dhe nuk arritën të shpëtonin. Më vonë, policia gjeti automjetin e tyre tërësisht të djegur.


Ndërkohë, dy zjarrfikës të tjerë u plagosën rëndë gjatë operacionit dhe po marrin trajtim në spital. Sipas raportimeve, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.


Një tjetër viktimë u regjistrua në zonën e Gjithios, në Peloponez. Viktima ishte shefi i zyrës rajonale të zjarrfikësve në Lakoni, i cili, sipas autoriteteve, humbi jetën pas një ataku kardiak të shkaktuar nga lodhja e madhe fizike dhe stresi gjatë operacionit për shuarjen e flakëve.


Në terren, situata mbetet kritike. Zjarret vijojnë të përhapen në Peloponez, në ishujt Paros dhe Mitilini, si edhe në Kretë, ku fronti i flakëve ka kaluar 15 kilometra, mes Rethymnos dhe Hanias.


Qindra zjarrfikës dhe vullnetarë janë angazhuar në operacionet e shuarjes, por temperaturat që arrijnë rreth 40 gradë Celsius dhe erërat e forta deri në 8 ballë të shkallës Bofor po e bëjnë ndërhyrjen jashtëzakonisht të vështirë.


Në zonën e Hanias, rreth 2 mijë banorë dhe turistë janë evakuuar përmes detit me anije dhe mjete private lundruese, pasi rrugët tokësore nuk garantonin siguri.


Autoritetet greke kanë paralajmëruar se situata pritet të mbetet kritike edhe gjatë 48 orëve të ardhshme, ndërsa Mbrojtja Civile ka ngritur nivelin e alarmit për rrezik të lartë zjarresh dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë udhëzimet e autoriteteve.

“KORÇA BOOM”


bottom of page