Zyrtare, zbulohet data e zgjedhjeve vendore 2027, ja kur do t'u drejtohen shqiptarët kutive të votimit
Presidenti i Republikës ka dekretuar datën 9 maj 2027 për zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Shqipëri.
Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet vendore duhet të zhvillohen gjatë periudhës zgjedhore të pranverës, e cila përfshin katër të diela mes datave 15 prill dhe 15 maj.
Për përcaktimin e datës, Presidenti zhvilloi konsultime me përfaqësues të forcave politike të përfaqësuara në Kuvend, si dhe me Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve.
Në konsultë morën pjesë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Partisë Socialdemokrate dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve. Ndërsa subjektet e tjera politike nuk iu përgjigjën ftesës për konsultim dhe nuk shprehën preferencë për datën e zgjedhjeve.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve propozoi 9 majin, duke argumentuar se caktimi i kësaj date, si e diela e fundit e periudhës zgjedhore, u jep institucioneve më shumë kohë për përgatitjet dhe zbatimin e masave të nevojshme. Të njëjtën datë preferoi edhe Partia Socialdemokrate.
Në njoftimin e Presidencës theksohet se data e përzgjedhur nuk lidhet me ndonjë favorizim të palëve politike dhe nuk cenon vullnetin e lirë të zgjedhësve.
Me dekretimin e datës 9 maj 2027, nis zyrtarisht rruga drejt zgjedhjeve të ardhshme vendore.
Presidenti u ka bërë thirrje forcave politike që të marrin pjesë në proces me alternativa, platforma dhe kandidatë, duke kërkuar respektimin e kuadrit ligjor, konkurrencë të drejtë dhe bashkëpunim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për garantimin e standardeve demokratike.
“KORÇA BOOM”
















