top of page

Lajm i keq për shqiptarët që presin Green Card, gjykata merr vendimin e fundit për lotarinë 2027

2 hours ago
1 min read

Lotaria Amerikane e Green Card për vitin 2027 do të vijojë të mbetet e pezulluar, pasi një gjykatë federale e apelit në San Francisko të Kalifornisë ka bllokuar përkohësisht vendimin që detyronte administratën e presidentit Donald Trump të rihapte programin e vizave.


Vendimi është marrë nga një trupë prej tre gjyqtarësh dhe i lejon qeverisë amerikane të mbajë në fuqi pezullimin e programit, deri në shqyrtimin e mëtejshëm të apelimit.


Çështja nisi pas një padie të depozituar në gusht nga firma ligjore Red Eagle Law kundër Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për shkak të mosnisjes së regjistrimeve për lotarinë e vitit 2027.


Më herët, një gjykatë më e ulët kishte vlerësuar se Departamenti amerikan i Shtetit nuk kishte dhënë shpjegime për mosnisjen e aplikimeve, duke e konsideruar këtë veprim si një anulim de facto të programit.


Megjithatë, vendimi i fundit nuk përbën një mbyllje përfundimtare të çështjes. Ai pezullon vetëm zbatimin e urdhrit të gjykatës së mëparshme, ndërsa beteja ligjore do të vijojë.


Përfaqësuesi i palës paditëse ka deklaruar se do të vazhdojnë përpjekjet ligjore për të mbrojtur të drejtat e personave të përzgjedhur.


Programi i Lotarisë Amerikane ofron çdo vit deri në 55 mijë viza emigrimi për shtetasit e vendeve me nivel të ulët emigrimi drejt Shteteve të Bashkuara.


Administrata Trump njoftoi më 18 dhjetor 2025 pezullimin e përkohshëm të programit. Për momentin, regjistrimet për edicionin e vitit 2027 mbeten të bllokuara, ndërsa pritet zhvillimi i mëtejshëm i procesit gjyqësor.

“KORÇA BOOM”


bottom of page