Shi, shtrëngata dhe dëborë në zonat malore, parashikimi i motit në ditët në vijim
Fundjava dhe ditët e para të javës së ardhshme do të karakterizohen nga mot i paqëndrueshëm në të gjithë vendin, me vranësira, reshje shiu dhe shtrëngata lokale. Ndërkohë, në zonat malore të veriut dhe juglindjes priten edhe reshje dëbore, ndërsa temperaturat do të pësojnë luhatje.
Sipas sinoptikanit Elvi Jahaj nga Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, gjatë së shtunës dhe të dielës vendi do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira mesatare deri të dendura, të cilat do të alternohen herë pas here me intervale kthjellimesh.
Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme dhe kryesisht me intensitet të ulët, por në periudha të shkurtra dhe në zona të caktuara mund të shoqërohen me shtrëngata dhe intensitet mesatar.
I paqëndrueshëm do të vijojë të jetë moti edhe në ditët e para të javës së ardhshme. Sipas sinoptikanit, deri të martën priten vranësira të dendura, reshje të herëpashershme shiu dhe shtrëngata lokale, të cilat në disa zona mund të shoqërohen edhe me shkarkesa elektrike.
Megjithatë, një përmirësim i kushteve atmosferike parashikohet të nisë nga dita e mërkurë, kur moti do të jetë kryesisht i kthjellët, me kalime të herëpashershme të vranësirave.
Bien temperaturat, priten reshje dëbore në zonat malore
Sa u përket temperaturave, Jahaj bëri të ditur se vlerat maksimale në mesditë pritet të zbresin në 16-17 gradë Celsius për shkak të reshjeve, ndërsa në ditë të caktuara do të ngjiten sërish në 20-21 gradë Celsius.
Në orët e mëngjesit, temperaturat minimale në zonat malore do të zbresin në 4-6 gradë Celsius, ndërsa në Ultësirën Perëndimore do të luhaten nga 8 deri në 10 gradë Celsius.
Ndërkohë, reshje dëbore me intensitet të ulët priten në relievet malore të verilindjes dhe juglindjes, kryesisht në lartësitë mbi 1000-1200 metra.
Edhe era do të jetë një tjetër element i motit që duhet pasur parasysh, veçanërisht të hënën dhe të martën. Sipas parashikimit, ajo do të fryjë kryesisht nga verilindja në juglindje, me intensitet të lehtë gjatë pjesës më të madhe të periudhës.
Megjithatë, në dy ditët e para të javës së ardhshme era pritet të forcohet, me shpejtësi mesatare deri në 9 m/s dhe momente të caktuara kur mund të arrijë 18-19 m/s.
Nga dita e mërkurë, me përmirësimin e kushteve atmosferike, pritet edhe stabilizimi gradual i motit në territorin shqiptar.
“KORÇA BOOM”
















