Çfarë ndodhi pas kafes me Salianjin? Alimehmeti rrëfen takimin me Berishën
- Korca Boom
- Dec 6, 2025
- 1 min read
Ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, ka zbuluar se është takuar me Sali Berishën menjëherë pas kafes së shumëpërfolur me Ervin Salianjin dhe disa eksponentë të tjerë të PD-së, e cilësuar nga mediat si “kafja e kryengritjes”.
Alimehmeti tha se gjatë takimit i shprehu Berishës vlerësimin për vendimin e këtij të fundit për të dalë në terren dhe për t’u takuar drejtpërdrejt me demokratët.
“Doktor Berisha është kryetar i PD-së. Unë mendoj se është një moment shumë i mirë edhe për të, për ta integruar këtë energji brenda partisë, sepse e kemi të nevojshme, ndryshe do të kemi më pak mbështetje,” u shpreh Alimehmeti.
Ai theksoi se marrëdhënia me Berishën bazohet te një “emërues i përbashkët”, duke nënvizuar se nuk do ta mbështeste po të mos ndanin të njëjtat bindje politike.
“E kam takuar Berishën edhe së fundmi. Nuk do thoja që është kryetari im dhe unë e mbështes nëse ne i kemi mendimet ndryshe. Nuk do isha në atë forcë politike ndryshe, nuk do shkoja aty në ditën e tij më të keqe,” tha ai.
Lidhur me përmbajtjen e takimit, Alimehmeti shtoi:“Në takim, Berishës i shpreha vlerësimin për faktin që po del në terren. Akoma nuk kishte filluar. Shumë mirë që del në terren, do i dëgjosh vetë njerëzit. Takimi me Berishën ishte pas kafes.”
"KORCA BOOM"



















