top of page

Çfarë parashikon drafti i ri? Pas aksioneve, trotuaret dhe sheshet “uzurpohen” sërish, gati rregullorja për hapësirat publike

  • 2 hours ago
  • 3 min read

Pas aksionit për lirimin e trotuareve dhe hapësirave publike, që zgjati disa muaj dhe u shtri në gjithë territorin e vendit, bashkia më e madhe në vend, ajo e Tiranës ka bërë gati rregulloren e re për hapësirat publike. Paketa mësohet se po diskutohet me ekspertët dhe grupet e interesit, përpara se të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak.


Me prezantimin e nismës, që u shoqërua edhe me një portal, hapesiraimepublike.gov.al për denoncimin e rasteve të shkeljeve apo zënies së hapësirës publike, sipas shifrave më të fundit të portalit ka patur mbi 21 mijë raportime për zaptim të hapësirave publike, me 16.618 raste të zgjidhura dhe 4.851 ende në proces, ku peshën më të madhe e mban kryeqyteti.


Janë këto të dhëna që shoqëruan një nga fushatat më të gjera të ndërmarra vitet e fundit për lirimin e trotuareve, shesheve dhe hapësirave të përbashkëta urbane nga zënia e paligjshme me tenda, tavolina, reklama apo struktura të përkohshme biznesi.


Por në një vëzhgim të realizuar nga ekofin.al në disa lagje të Tiranës, duket se pas aksionit, një pjesë e mirë e çadrave, tendave apo tavolinave dhe rampave janë kthyer në vendet e tyre, duke bllokuar sërish trotuare, rrugë e hapësira publike.


Pas këtij operacioni, i cili u shtri në disa qytete të vendit dhe u fokusua kryesisht te lokalet, bizneset dhe strukturat që kishin zgjeruar aktivitetin në hapësirat publike, Bashkia e Tiranës ka përgatitur tashmë një draft-rregullore të detajuar për administrimin dhe shfrytëzimin e hapësirave publike, model që pritet të shërbejë edhe për bashkitë e tjera në vend.


Projekt-rregullorja “Për shfrytëzimin e hapësirës publike në Bashkinë e Tiranës” përcakton për herë të parë në mënyrë të detajuar kriteret, distancat, standardet urbane, dokumentacionin dhe procedurat që duhet të ndjekin subjektet private apo publike për të përdorur hapësirat publike.


Në thelb, drafti synon të kalojë nga modeli i tolerimit informal të zaptimit të trotuareve drejt një sistemi të standardizuar administrimi, ku çdo përdorim i hapësirës publike do të jetë i licencuar, i monitoruar dhe i kontrolluar.


Nga aksioni i IKMT te standardizimi urban


Fushata për lirimin e hapësirave publike u shoqërua me ndërhyrje të shumta të IKMT-së, inspektorateve vendore dhe policive bashkiake në zona turistike dhe urbane, ku bizneset kishin zënë trotuare, korsitë e biçikletave, hyrjet e pallateve apo sheshet publike me struktura metalike, tenda, tavolina dhe reklama.


Pikërisht pas këtyre ndërhyrjeve, draft-rregullorja vendos kufij të qartë mbi mënyrën se si mund të përdoret hapësira publike. Sipas dokumentit, interesi publik prevalon ndaj interesit privat dhe qytetarëve duhet t’u garantohet akses i lirë në trotuare dhe ambiente publike.


Rregullorja përcakton gjithashtu distanca minimale të detyrueshme si: 3 metra nga hyrjet e ndërtesave, 5 metra nga stacionet e autobusëve dhe korsitë e biçikletave, si dhe korridore të lira kalimi për këmbësorët.


Në rastin e strukturave reklamuese apo tendave, drafti ndalon vendosjen e tyre nëse pengojnë qarkullimin, sinjalistikën rrugore apo estetikën urbane.


Çfarë parashikon drafti i ri


Drafti parashikon leje të posaçme për çdo aktivitet në hapësirë publike, aplikim përmes portalit e-Albania, regjistër elektronik unik për lejet dhe pagesat, publikim periodik të raporteve mbi përdorimin e hapësirave publike, kontrolle nga Policia Bashkiake dhe masa administrative për shkelësit.


Një tjetër element i rëndësishëm është standardizimi urban. Rregullorja përcakton tipologjitë e strukturave të lejuara, materialet, ngjyrat, ndriçimin, nivelet e zhurmës dhe mënyrën e integrimit të tyre në mjedisin urban.


Madje, për aktivitetet gastronomike me muzikë live apo amplifikim zëri, rekomandohen leje të posaçme akustike dhe vendosen kufij maksimalë të zhurmës sipas zonave urbane.


Një model që pritet të shtrihet në të gjithë vendin


Edhe pse drafti është hartuar për territorin e Bashkisë së Tiranës, baza ligjore mbi të cilën mbështetet është një vendim i Këshillit të Ministrave i prillit të vitit 2026, i cili detyron njësitë vendore të nxjerrin aktet përkatëse për administrimin e hapësirave publike.


Kjo do të thotë se modeli që po ndërtohet në Tiranë pritet të shërbejë si referencë edhe për bashkitë e tjera të vendit, sidomos në qytetet turistike ku zënia e trotuareve dhe hapësirave publike nga bizneset është kthyer në problematikë të vazhdueshme.


Në praktikë, drafti synon të krijojë një ekuilibër mes zhvillimit ekonomik të biznesit dhe mbrojtjes së hapësirës publike si aset qytetar. Por sfida kryesore mbetet zbatimi. Për vite me radhë, zaptimi informal i trotuareve është toleruar në shumë qytete, ndërsa aksionet kanë qenë kryesisht sezonale apo sporadike.


Ekofin do të sjellë në vijim edhe qëndrimet e ekspertëve dhe grupeve të interresit, pasi paketa e rregullores për shfrytzimin e hapësira publike ka impakt të gjerë dhe i prek të gjithë në qytetin e Tiranës. /Nga Mirilda Tili - Ekofin.al

“KORÇA BOOM”


bottom of page