top of page

1 marsi, Dita e Verës për ortodoksët!

  • 20 hours ago
  • 1 min read

Nëse në Shqipëri Dita e Verës është kthyer në një festë masive kombëtare dhe festohet më 14 mars, për besimtarët ortodoksë, Dita e Verës mbetet 1 marsi, dita e parë e muajit.


Kjo konsiderohet si dita e shenjtë për të festuar mbërritjen e stinës së ngrohtë dhe largimin e dimrit. Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej edhe shumë shekuj para se të lindte krishtërimi.


Besimtarët ortodoksë e vendosin veroren në datën 1 mars dhe e heqin kur shohin dallëndyshen e parë duke e vendosur në degët e trëndafilave ose pemëve që kanë afër.


Ortodoksët, mbrëmjen para datës 1, ndezin nëpër lagjet e qytetit zjarret, ndërsa në shtëpi përgatitet kulaçi i ëmbël i cili shoqërohet edhe me fiq të thatë.


Kjo është një traditë e përvitshme që mbledh ortodoksët përreth zjarreve, të cilët i kapërcejnë, si për të larguar të keqen dhe për të sjellë mbarësi në vijim.


Po atë mbrëmje vendoset edhe verorja e kuqe me të bardhë. Fija e kuqe e verores lidhet me forcën, gjakun, diellin dhe ngrohtësinë. Fija e bardhë është fillimi i mirë dhe drita. Ne iu urojmë gjithë besimtarëve ortodoksë gëzuar Ditën e Verës.

“KORÇA BOOM”


bottom of page