U nda nga jeta në Janinë/ Kush ishte At Kristo Papa, prifti që la gjurmë
Një lajm i trishtë ka ardhur mëngjesin e 22 shtatorit nga Janina, ku është ndarë nga jeta At Kristo Papa, një prej figurave të respektuara të komunitetit ortodoks të Sarandës dhe zonës përreth.
At Kristo Papa ishte prifti i parë që shërbeu në qytetin e Sarandës pas rënies së regjimit komunist, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në ringritjen e jetës fetare pas dekadave të ndalimit të besimit.
Ai lindi në vitin 1938 në fshatin Aliko. Studimet i kreu në Shkollën Pedagogjike të Gjirokastrës, në degën e gjuhës greke për shkollat e minoritetit. Megjithatë, për shkak të persekutimit të familjes së tij nga regjimi komunist, nuk pati mundësi të ushtronte profesionin e mësuesit.
Me rikthimin e lirisë së besimit, jeta e tij mori një tjetër drejtim. At Kristo Papa u dorëzua prift nga Kryepeshkopi i ndjerë Anastas dhe më pas shërbeu për shumë vite në qytetin e Sarandës.
Përmes përkushtimit të tij, ai u bë një nga figurat që kontribuuan në ringritjen e komunitetit ortodoks në zonë dhe u kthye në një emër të dashur e të respektuar për shumë besimtarë.
At Kristo Papa do të përcillet për në banesën e fundit në vendlindjen e tij, në Aliko, ditën e mërkurë, 23 shtator, në orën 10:00.
I paharruar qoftë kujtimi i tij!
“KORÇA BOOM”
















