top of page

57 vite nga ndërtimi/ Spitali i Pogradecit i nënshtrohet rikonstruksionit

10 minutes ago
1 min read

Pas 57 vitesh nga ndërtimi, Spitali i Pogradecit po i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë. Ndërhyrja synon transformimin e ambienteve spitalore dhe përmirësimin e kushteve për pacientët dhe personelin mjekësor, në një projekt që shënon investimin më të madh në këtë godinë që prej vitit 1969.


Përtej rehabilitimit të ambienteve, projekti parashikon edhe zgjerimin e shërbimeve diagnostikuese. Një prej risive është vendosja e skanerit, shërbim që aktualisht mungon në spitalin e Pogradecit dhe për të cilin pacientët duhet t'i drejtohen Korçës apo spitaleve të tjera.


Një tjetër çështje që pritet të marrë zgjidhje është edhe infrastruktura e Maternitetit, godina aktuale e të cilit ka qenë prej kohësh një shqetësim për qytetarët. Në kuadër të projektit, shërbimi i Obstetrikë-Gjinekologjisë do të transferohet gjatë vitit 2027 në ambiente të reja brenda kompleksit spitalor.


Sipas drejtorit të Spitalit, kjo do të jetë një zgjidhje e përkohshme, deri në ndërtimin e godinës së re të Maternitetit, projekti i së cilës parashikohet të përfundojë në vitin 2028.


Me rikonstruksionin e plotë të godinës, vendosjen e pajisjeve të reja diagnostikuese dhe ndërtimin e Maternitetit të ri, projekti synon të ndryshojë ndjeshëm kushtet dhe kapacitetet e shërbimit spitalor në Pogradec, duke u dhënë banorëve të qytetit dhe zonave përreth më shumë mundësi për të marrë shërbim shëndetësor pranë vendbanimit të tyre./ Cna.al

“KORÇA BOOM”


bottom of page