top of page

Ndahet nga jeta Gjergj Hani, ish-rivali i Lulzim Bashës për kreun e PD-së

31 minutes ago
2 min read

Ndahet papritur nga jeta, në moshën 57-vjeçare, Gjergj Hani, ish-i përndjekur politik dhe një emër i njohur për përfshirjen e tij në garën për drejtimin e Partisë Demokratike.


Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është bërë i ditur nga familjarët, të cilët kanë njoftuar se lamtumira e fundit do t'i jepet ditën e premte në qytetin e Durrësit.


Hani kaloi një pjesë të jetës së tij në burgjet e regjimit komunist, ndërsa më vonë u përfshi në jetën politike shqiptare.


Ai tërhoqi vëmendjen e opinionit publik në vitin 2023, kur vendosi të kandidonte për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, duke hyrë në garë përballë Lulzim Bashës. Kandidimi i tij në zgjedhjet e brendshme të demokratëve e bëri më të njohur për publikun, veçanërisht për shkak të së kaluarës së tij si ish-i burgosur politik.


Shkaqet e ndarjes së tij nga jeta nuk janë bërë ende të ditura.


Kush ishte Gjergj Hani?


Gjergj Hani lindi më 13 maj të viti 1969 në Durrës, në një familje që ishte përballur me përndjekjen politike gjatë diktaturës komuniste.


Në vitin 1985, kur ishte vetëm 16 vjeç, ai tentoi të largohej nga Shqipëria duke kaluar kufirin pranë fshatit Lin të Pogradecit, por u ndalua nga forcat kufitare dhe u dënua me pesë vite burg për tentativë arratisjeje, e cilësuar nga regjimi i kohës si tradhti ndaj atdheut.


Hani vuajti dënimin në burgun famëkeq të Qafë-Barit. Pas lirimit, u arrestua dhe u dënua sërish për motive politike. Sipas dokumenteve të Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, dënimet e tij të bashkuara arritën në 11 vite burg.


Pas rënies së regjimit komunist, Hani u largua drejt Italisë, ku jetoi deri në vitin 2012, përpara se të rikthehej në Shqipëri.


Ai u angazhua në debatin publik për të kaluarën komuniste, duke kërkuar hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe zbardhjen e krimeve të diktaturës.


Në vitin 2023, Hani vendosi të kandidonte për drejtimin e Partisë Demokratike, përballë Lulzim Bashës. Gara u zhvillua më 29 korrik dhe përfundoi me fitoren e Bashës.

“KORÇA BOOM”


bottom of page