66 vite më parë parashikuan një katastrofë për sot, çfarë do të ndodhte më 13 nëntor 2026?
Një datë e veçantë, 13 nëntori 2026, ishte përcaktuar 66 vite më parë si momenti kur njerëzimi mund të përballej me një situatë ekstreme për shkak të mbipopullimit të Tokës.
Parashikimi ishte publikuar në vitin 1960 në revistën prestigjioze shkencore “Science”, nga studiuesit Heinz von Foerster, Patricia M. Mora dhe Lawrence W. Amiot, në një studim me titullin “Doomsday: Friday, 13 November, A.D. 2026”.
Duke analizuar të dhënat historike të popullsisë botërore përgjatë rreth 2 mijë viteve, shkencëtarët ndërtuan një model matematikor që sugjeronte se numri i njerëzve po rritej me ritme gjithnjë e më të shpejta.
Sipas përllogaritjeve të tyre, nëse kjo prirje do të vazhdonte pa ndryshime, popullsia do t'i afrohej matematikisht pafundësisë pikërisht më 13 nëntor 2026. Për këtë arsye, data u cilësua në mënyrë simbolike si “Dita e Kiametit”.
Megjithatë, studimi nuk parashikonte shkatërrimin fizik të planetit apo një katastrofë që do të ndodhte pikërisht në këtë datë. Ai synonte të tërhiqte vëmendjen ndaj rrezikut të rritjes së pakontrolluar të popullsisë dhe pasojave që mund të sillte një prirje e tillë.
Për disa dekada, modeli matematikor u përafrua me zhvillimet reale demografike. Por, duke nisur nga fillimi i viteve 1990, tendenca nisi të ndryshonte ndjeshëm.
Rënia e lindshmërisë në shumë vende, ndryshimet shoqërore dhe zhvillimi ekonomik bënë që ritmi i shtimit të popullsisë të ngadalësohej, duke e larguar realitetin nga skenari i parashikuar.
Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, popullsia botërore pritet të arrijë kulmin prej rreth 10.3 miliardë banorësh në mesin e viteve 2080, përpara se të nisë një rënie graduale.
Kështu, 13 nëntori 2026 mbetet një datë simbolike në historinë e parashikimeve shkencore, si një shembull se modelet matematikore mund të jenë të kufizuara kur përpiqen të parashikojnë sjelljen dhe zhvillimet e shoqërisë njerëzore për periudha shumë të gjata.
“KORÇA BOOM”
















