Akrepat e orës do të lëvizin sërish… ja pse ndodh kjo çdo vit
- 12 hours ago
- 1 min read
Java e fundit e marsit sjell edhe ndryshimin e orës. Më saktësisht, në javën e 29 marsit, në orën 02:00 pas mesnatës, akrepat e orës do të lëvizin një orë përpara, duke kaluar direkt në orën 03:00. Pikërisht në atë moment fillon llogaritja verore e kohës.
Kjo do të thotë se mbrëmjet do të kenë më shumë dritë, pasi errësira do të vijë më vonë.
Ideja kryesore e vendosjes së orarit veror dhe dimëror është shfrytëzimi më efikas i dritës natyrore të ditës. Ora dimërore konsiderohet si koha reale astronomike, ndërsa ora verore “merr” një orë nga mëngjesi dhe e shton në mbrëmje, duke zgjatur kështu periudhën e dritës gjatë ditës.
Megjithatë, prej vitesh në rrethet shkencore dhe politike diskutohet nëse sistemi i ndryshimit sezonal të orës duhet të vazhdojë. Pyetja që shtrohet shpesh është nëse ky mekanizëm do të hiqet në të ardhmen.
Arsyeja kryesore për këtë debat lidhet me ndikimin e mundshëm në shëndetin e njerëzve. Sipas studimeve, ndryshimi i orës mund të prishë bioritmin, duke shkaktuar pagjumësi, lodhje, stres, ndryshime në ritmin e zemrës dhe probleme të tretjes. Në disa raste, organizmit i duhen deri në dy javë për t’u përshtatur plotësisht me ritmin e ri.
Përveç efekteve shëndetësore, disa studime tregojnë se ndryshimi i orës mund të ndikojë edhe në rritjen e aksidenteve rrugore, veçanërisht në periudhën e vjeshtës, kur shumë fëmijë shkojnë në shkollë në errësirë.
"KORCA BOOM"
















