Aktori i njohur i “Ezel” gjendet i pajetë, në trupin e tij konstatohen m*vijosje
- 1 hour ago
- 1 min read
Aktori i njohur turk Serhat Mustafa Kiliç, 51 vjeç, i cili u bë i njohur për publikun edhe përmes serialit “Ezel”, është gjetur i pajetë në banesën e tij.
Aktori kishte humbur kontaktet me familjarët dhe të afërmit prej disa ditësh. E shqetësuar për faktin se nuk po arrinte të komunikonte me të që prej së enjtes, e dashura e tij shkoi në apartamentin ku jetonte.
Pasi nuk mori përgjigje as nga telefonatat dhe as nga trokitjet në derë, ajo hyri në banesë, ku e gjeti 51-vjeçarin të shtrirë pa shenja jete në dhomën e ndenjes.
Në vendngjarje mbërritën ekipet e urgjencës dhe policia, ndërsa mjekët konstatuan vetëm vdekjen e aktorit.
Pas ngjarjes ka nisur një hetim për të përcaktuar rrethanat e sakta të vdekjes. Gjatë ekzaminimit fillestar, disa media turke raportuan se në trupin e aktorit janë konstatuar mavijosje në zonën rreth syve, si dhe në krahë dhe këmbë.
Megjithatë, deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar se këto dëmtime kanë lidhje me vdekjen e tij. Shkaku i saktë pritet të përcaktohet pas autopsisë dhe analizave mjeko-ligjore.
Serhat Mustafa Kiliç lindi më 8 korrik 1975 në Ankara dhe përfundoi studimet për aktrim në Universitetin Bilkent. Gjatë karrierës së tij ai interpretoi në shumë produksione televizive, filma dhe shfaqje teatrale.
Ai u bë i njohur për një audiencë të gjerë përmes serialeve “Ezel”, “Seksenler”, “Söz” dhe “Kuruluş: Osman”, ndërsa ka marrë pjesë edhe në filmat “Veda”, “Kış Uykusu”, “Nokta” dhe “Mavzer”.
Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur fansat e aktorit, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur se çfarë ka ndodhur në orët para se ai të gjendej i pajetë.
“KORÇA BOOM”
















