Akullorja që hamë po vjen nga jashtë, vetëm 17% prodhohet në Shqipëri
- 21 hours ago
- 1 min read
Prodhimi vendas i akullores po përballet me vështirësi të shumta, ndërsa produktet e importuara po zënë gjithnjë e më shumë hapësirë në tregun shqiptar.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, gjatë vitit 2025 në vend u prodhuan vetëm 643 tonë akullore, rreth 40% më pak se një vit më parë. Pas rritjes në 1,001 tonë në vitin 2024, sektori është rikthyer në rënie, duke iu afruar niveleve më të ulëta të dekadës.
Rënia e prodhimit vendas ka bërë që importet të dominojnë tregun. Në vitin 2025, vetëm 17% e akullores së konsumuar në Shqipëri ishte prodhuar brenda vendit, ndërsa 83% vinte nga importi.
Prodhuesit vendas thonë se përballen me rritje të kostove të lëndëve të para, mungesë investimesh dhe vështirësi për gjetjen e punonjësve të specializuar. Ndër kostot kryesore përmenden qumështi i freskët, kakaoja dhe pistakioja.
Ndërkohë, çmimet pritet të rriten edhe më tej. Aktualisht një kupë akulloreje kushton rreth 80–170 lekë, ndërsa në zonat bregdetare çmimi shkon rreth 150 lekë. Për vitin e ardhshëm, prodhuesit presin që çmimi të arrijë në 170–200 lekë për kupë.
Edhe importet kanë shënuar rritje gjatë vitit 2026. Vetëm në periudhën janar–qershor janë importuar rreth 2,100 tonë akullore, 18% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Prodhuesit kërkojnë mbështetje për sektorin, përfshirë lehtësi fiskale dhe masa që do të ndihmonin prodhimin vendas të qumështit. Sipas tyre, ulja e kostove dhe rritja e investimeve janë të domosdoshme për ta bërë industrinë shqiptare më konkurruese përballë produkteve të importuara.
“KORÇA BOOM”
















