Të rinjtë dhe studentët mund të blejnë shtëpi me kredi pa interes, çfarë parashikon ligji i ri
Kuvendi ka miratuar ndryshimet në ligjin “Për strehimin social”, duke zgjeruar nga gjashtë në tetë programet e strehimit dhe duke sjellë instrumente të reja mbështetjeje për të rinjtë, familjet dhe kategoritë që kanë vështirësi në përballimin e kostove të banimit.
Ndryshimet synojnë të krijojnë më shumë mundësi për blerjen e një banese dhe lehtësojnë përballimin e shpenzimeve të qirasë, përmes programeve të reja të strehimit të përballueshëm.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë prezantimit të nismës në Kuvend, bëri të ditur se dy programe të reja do t'i shtohen skemave ekzistuese, duke zgjeruar mbështetjen për qytetarët që kanë nevojë për strehim.
Një nga risitë kryesore është kredia me interes zero për blerjen e banesave me vlerë deri në 6 milionë lekë. Ky instrument do të jetë në dispozicion për të rinjtë, studentët e masterit, profesionistët në fillim të karrierës dhe kategori të tjera që do të përcaktohen sipas kritereve të ligjit.
Përmes këtij programi synohet të lehtësohet hyrja në tregun e banesave për personat që kanë të ardhura, por që e kanë të vështirë të përballojnë kostot e një kredie apo blerjen e një shtëpie.
Ndryshimet në ligjin për strehimin social pritet të krijojnë mekanizma të rinj për mbështetjen e qytetarëve, ndërsa kriteret konkrete dhe mënyra e aplikimit për programet e reja do të përcaktojnë se kush do të mund të përfitojë nga skema.
“KORÇA BOOM”
















