Dorëheqje në PD, zyrtari i lartë njofton largimin pas 4 vitesh në drejtim
Besart Xhaferri ka njoftuar mbrëmjen e sotme përfundimin e mandatit të tij si kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), pas katër vitesh në drejtimin e kësaj strukture.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Xhaferri bëri të ditur se Forumi Rinor Demokratik do të hyjë në një fazë të re organizimi dhe ripërtëritjeje, me riorganizimin e strukturave në të gjithë vendin.
Drejtimi tranzicional i FRPD-së do t'i kalojë Sekretarit të Përgjithshëm, Fatjon Bathorja, i cili do të jetë gjithashtu në krye të grupit të punës që do të angazhohet për organizimin dhe zhvillimin e këtij procesi.
Në mesazhin e tij, Xhaferri ka falënderuar kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, Sekretarin e Përgjithshëm Flamur Noka, paraardhësin e tij Belind Këlliçi, drejtuesit politikë të qarqeve dhe anëtarët e PD-së për bashkëpunimin gjatë katër viteve në drejtimin e FRPD-së.
Ai theksoi se largimi nga drejtimi i Forumit Rinor nuk përbën një shkëputje nga Partia Demokratike apo angazhimi i tij politik, duke nënvizuar se do të vijojë të jetë pjesë e kësaj force politike.
“Sot largohem nga drejtimi i FRPD-së, por jo nga kjo familje, jo nga miqtë e mi dhe aq më pak nga beteja jonë e përbashkët. Do të jem gjithmonë në krah të tyre, ashtu siç ata kanë qenë në krahun tim”, shkruan Xhaferri.
Përfundimi i drejtimit katërvjeçar të Xhaferrit vjen në një moment kur FRPD pritet të nisë procesin e riorganizimit të strukturave të saj, me synimin për një fazë të re në funksionimin dhe aktivitetin e forumit rinor demokrat.
“KORÇA BOOM”
















