Nertil Jole ngre një pikëpyetje: Kush janë shokët e vërtetë dhe kush afrohet vetëm për pushtet?
Postimi i plotë i Nertil Joles:
JO KUSH KA TOPIN, KA EDHE SHOKËT
Në gjuhën shqipe, fjala “shok” (në shumës “shokët”) përkufizon ata me të cilët kemi lidhje të ngushta miqësie, shoqërohemi shpesh dhe ndajmë të njëjtat ndjesi, interesa apo rrugëtime të caktuara në jetë, shkollë apo karrierë profesionale.
Por ky është përkufizimi i fjalorit. Në jetë, fjala “shok” ka tjetër përkufizim. Unë do të ndalem më specifikisht te kuptimi i kësaj fjale në sferën e jetës publike dhe politike.
Në jetën private, të qenurit apo të pasurit shok është çështje afërsie dhe ndjenje. Në jetën publike dhe politike, fjala “shok” ka shumë dimensione dhe jo rrallë kthehet në një provë karakteri.
Në fëmijëri, dikush nga shokët e grupit bëhej i pari, lideri. Zakonisht ndodhte të ishte ai që kishte topin e lojës dhe që imponohej me rregullin: "Topi është i imi, penalltinë e gjuaj unë".
Jo se ishte lojtari më i mirë, por se loja ishte mes shokësh e jo mes ekipesh apo skuadrash dhe pronësia mbi topin i jepte fuqinë.
Për ata që angazhohen në politikë, arritja e rezultateve pozitive natyrshëm sjell më shumë aleatë. Por jo çdo afërsi është miqësi dhe jo çdo bashkim njerëzish buron nga bindje të përbashkëta. Në jetën publike, shpesh interesi krijon afërsi të përkohshme, sidomos kur në qendër të saj qëndron pushteti. Aleati të mat me interesin, ndërsa shoku të mat me besën, respektin dhe kujdesin.
Në politikë, veçanërisht në atë lokale, jo rrallë shohim njerëz që bashkohen rreth individëve të pushtetshëm, jo domosdoshmërisht sepse ndajnë të njëjtat ide, bindje apo parime, jo sepse janë shokë, por sepse i afron interesi i momentit. Mund të ndajnë të njëjtën tryezë, të shfaqen në të njëjtin krah dhe të flasin me të njëjtën gjuhë, por kjo nuk do të thotë se i lidh miqësia apo një rrugëtim i përbashkët. Sepse të jesh pranë pushtetit nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh pranë një ideje. Shpesh do të thotë thjesht të jesh pranë asaj që pushteti mund të ofrojë.
“I zoti i topit” të cakton rolin në lojë… të bën portier, sulmues, mbrojtës apo të lë në stol. Por jo ekzekutues të penalltisë.
Shoqëria nuk është më ajo e para, por rregulli i topit vazhdon njësoj. Ai grupi i dikurshëm, i bashkuar nga afërsia, mendimet dhe ndjenjat e përbashkëta, është kthyer në një grup interesi që vërtitet rreth atij që ka “topin” e pushtetit.
Shokët janë kapital moral, jo numër. Në politikë mund të kesh, për shembull, "63 mijë" ndjekës dhe shumë pak njerëz që mund t'i quash vërtet shokë.
Sepse shokët nuk numërohen në Facebook. Janë ata që kanë kurajën të thonë: “Unë e njoh dhe qëndroj me të”, jo sepse presin diçka në këmbim, por sepse besojnë te njeriu dhe te parimet që ai përfaqëson.
Prandaj, në jetën publike, ky përkufizim merr një peshë tjetër.
Shokët janë ata me të cilët kemi ndarë të njëjtën ide përpara se ajo ide të kishte pushtet. Janë ata me të cilët do të ndanim përsëri të njëjtat bindje edhe kur pushteti nuk është më pjesë e ekuacionit.
Përkrahësi të jep një like. Shoku të beson, të jep kohën, fytyrën dhe emrin e tij. Është ai që mbron një ide edhe kur njerëzit që e përfaqësojnë nuk janë të pranishëm. Ai që investon kapitalin e tij personal për një kauzë kolektive.
Në politikën shqiptare jemi mësuar me lista emrash që ngjiten në “autobusin” e fitores. Por shokë janë ata që ishin aty, ende pa hipur në autobus.
Zgjedhjet kalojnë. Pushteti ndryshon duar. Interesat marrin drejtime të tjera. Por koha tregon se mbi cilat parime kanë qenë të ndërtuara marrëdhëniet.
Pushteti mund të të sjellë shumë njerëz pranë, por vetëm koha të tregon se cilët prej tyre janë vërtet shokë!
“KORÇA BOOM”
















