top of page

Lajm i mirë për qytetarët! Hiqen tarifat e legalizimit, ja kush përfiton faljen e truallit

8 hours ago
1 min read

Qytetarët që janë në proces legalizimi të banesave apo pajisjeje me dokumente pronësie mund të përfitojnë lehtësi të rëndësishme financiare, duke nisur nga heqja e disa tarifave administrative deri te përjashtimi i plotë nga pagesa e parcelës ndërtimore për kategori të caktuara.


Ndryshimet e miratuara në shtator parashikojnë që Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) të mos aplikojë disa tarifa shërbimi kur procedurat kryhen me nismën e vetë institucionit.


Konkretisht, bëhet fjalë për tarifën prej 3 mijë lekësh për shërbimin e legalizimit të ndërtimeve pa leje, e cila nuk paguhet kur procedura nis kryesisht nga Kadastra.


Po ashtu, hiqet edhe tarifa prej 10 mijë lekësh për procedura të caktuara që lidhen me objektet e vjetra pa titull pronësie, parcelat funksionale dhe oborret në përdorim, kur procesi zhvillohet me nismën e ASHK-së.


Kush përfiton faljen e pagesës së truallit?


Përveç heqjes së tarifave administrative, legjislacioni parashikon edhe përjashtime nga pagesa e parcelës ndërtimore.


Nga falja e plotë e këtij detyrimi mund të përfitojnë poseduesit me status paraplegjiku, tetraplegjiku ose të verbri, në përputhje me kushtet e përcaktuara në legjislacion.


Përjashtime të posaçme parashikohen gjithashtu për kategori të caktuara të bashkësive fetare.


Megjithatë, qytetarët duhet të kenë parasysh se heqja e tarifës së legalizimit nuk do të thotë automatikisht falje e pagesës së tokës. Tarifa administrative dhe detyrimi për blerjen e parcelës ndërtimore janë dy pagesa të ndryshme, të cilat rregullohen nga dispozita të veçanta.


Këto lehtësi synojnë të ndihmojnë qytetarët që prej vitesh presin të pajisen me dokumente pronësie dhe të përmbyllin procedurat për banesat e tyre.

“KORÇA BOOM”


bottom of page