top of page

Fermerët kanë mundësinë të kursejnë mijëra lekë, ja çfarë falet deri në fund të vitit 2026!

39 minutes ago
1 min read

Një lehtësi e rëndësishme financiare u vjen fermerëve që jetojnë në fshat dhe zotërojnë tokë bujqësore. Ata kanë mundësinë të shlyejnë detyrimet e prapambetura për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore pa paguar kamatëvonesa apo penalitete.


Sipas skemës në fuqi, fermerët që banojnë në zonat fushore duhet të paguajnë 38 mijë e 400 lekë në vit, ndërsa ata që jetojnë në zonat malore përfitojnë një detyrim më të ulët, prej 29 mijë e 400 lekësh në vit.


Eksperti i sistemit të pensioneve, Kujtim Hoxha, shpjegon për A2 CNN se kjo masë u krijon mundësi fermerëve të mbyllin detyrimet e akumuluara ndër vite, duke paguar vetëm vlerën bazë të kontributeve, pa interesat dhe gjobat e krijuara.


Falja e kamatëvonesave dhe penaliteteve bazohet në ligjin për fshirjen e detyrimeve të papaguara në tatime, dogana dhe pushtetin vendor, të miratuar në fund të vitit të kaluar.

Periudha që përfshihet në këtë lehtësi nis nga 1 janari 2015 dhe përfundon më 31 dhjetor 2024. Kushti kryesor për të përfituar është që kontributet e plota të paguhen brenda datës 31 dhjetor 2026.


Eksperti Hoxha paralajmëron se fermerët duhet të shfrytëzojnë afatin e përcaktuar, pasi pas përfundimit të tij detyrimet e papaguara do të vijojnë të mbeten aktive.

Kjo masë synon t'u japë mundësi fermerëve të rregullojnë marrëdhëniet me skemën e sigurimeve dhe të shmangin barrën financiare të krijuar nga kamatëvonesat ndër vite.

“KORÇA BOOM”


bottom of page