Brukseli humbet durimin? Mesazh i drejtpërdrejtë për PS-në dhe PD-në: Koha po mbaron!
Një ditë pas përplasjes së radhës mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Bashkimi Evropian ka ndërhyrë me një mesazh të drejtpërdrejtë për të dyja palët.
Ambasadorja e BE-së në Tiranë, Sofia Moreira de Sousa, ka zhvilluar një takim me bashkëkryetarët e komisionit, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, ku në fokus ka qenë ecuria e reformës dhe nevoja për të përshpejtuar punën.
Mesazhi i BE-së vjen në një moment kur diskutimet mes mazhorancës dhe opozitës vijojnë të shoqërohen me debate dhe mosmarrëveshje politike.
Ambasadorja u ka kujtuar palëve se koha në dispozicion po shkurtohet dhe se procesi nuk duhet të mbetet peng i përplasjeve politike, por duhet të prodhojë rezultate konkrete.
Ndërhyrja e Brukselit rikthen në vëmendje rëndësinë e Reformës Zgjedhore dhe pritshmëritë për një proces ku palët politike të gjejnë gjuhën e përbashkët për ndryshimet e nevojshme.
Tashmë mbetet për t'u parë nëse mesazhi i Bashkimit Evropian do të sjellë një ndryshim në qëndrimet e PS-së dhe PD-së apo përplasjet në komision do të vijojnë të pengojnë ecurinë e reformës.
“KORÇA BOOM”
















