Tragjedia që tronditi vendin, pas 6 muajsh nis gjyqi! Ja çfarë ndodhi me akuzat ndaj shoferit
Gjashtë muaj pas aksidentit tragjik në ish-Kënetë të Durrësit, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një tjetër mbeti i plagosur, ka nisur procesi gjyqësor ndaj 57-vjeçarit Nikollë Radaçi, autorit të dyshuar të ngjarjes.
Seanca e parë u zhvillua në Gjykatën e Durrësit, nën drejtimin e gjyqtarit Elvis Sulejmani, por me dyer të mbyllura. Procesi zgjati vetëm pak minuta, pasi avokati i të pandehurit kërkoi gjykim të shkurtuar. Vendimi pritet të merret në seancën e ardhshme.
Ajo që ka shkaktuar reagime është fakti se, gjatë hetimeve, ndaj Radaçit rëndonin fillimisht tri akuza, por amnistia e miratuar pranverën e kaluar ka sjellë shuarjen e dy prej tyre: drejtimin e automjetit nën efektin e alkoolit dhe largimin nga vendi i aksidentit.
Për rrjedhojë, prokurorja Anila Bebeçi e ka dërguar për gjykim vetëm për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen.
Avokati i tij, Aleksandër Ndrejaj, deklaroi se nga testi i kryer pas aksidentit rezultoi se klienti i tij kishte konsumuar një sasi të pakët alkooli.
Ndërkohë, babai i fëmijës që mbeti i plagosur ka kundërshtuar lehtësimin e akuzave, duke e cilësuar këtë një padrejtësi.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 3 maj, kur 57-vjeçari, duke drejtuar një automjet tip Mercedes-Benz, doli nga rruga dhe përplasi dy fëmijët që ndodheshin në trotuar. Si pasojë humbën jetën 12-vjeçari Enea Muçaj dhe 9-vjeçari Klesi Nikolli, ndërsa shoku i tyre mbeti i plagosur.
Për akuzën që ka mbetur në fuqi, Radaçi rrezikon një dënim nga 5 deri në 20 vite burg.
“KORÇA BOOM”
















