Makina me naftë dhe mbi 2,000 kubikë? Përgatituni për faturën e re
Pronarët e automjeteve në Shqipëri pritet të përballen me rritje të ndjeshme të taksës vjetore në vitin 2027, nëse miratohen ndryshimet e propozuara në Paketën Fiskale.
Goditjen më të madhe pritet ta ndiejnë drejtuesit e makinave me motorë mbi 2,000 kubikë, veçanërisht ata që përdorin naftë.
Sipas përllogaritjeve të publikuara nga “Monitor”, për një automjet me naftë, 10-vjeçar dhe me motor 2,500 kubikë, taksa vjetore do të rritet nga 7,500 lekë që paguhet aktualisht në 21,450 lekë. Kjo do të thotë 13,950 lekë më shumë në vit, ose një rritje prej 186%.
Edhe për makinat më të reja parashikohet një rritje e konsiderueshme. Një automjet me naftë, katërvjeçar dhe me të njëjtën cilindratë, nga 5,625 lekë që paguan sot, pritet të paguajë 13,650 lekë, pra 8,025 lekë më shumë.
Ndryshimet prekin edhe automjetet me benzinë. Për një makinë 10-vjeçare me motor 2,500 kubikë, detyrimi vjetor parashikohet të shkojë nga 6,000 në 17,325 lekë. Ndërsa për makinat me benzinë 30-vjeçare, taksa mund të arrijë në 43,050 lekë, nga 19,500 lekë që është aktualisht.
Rritje edhe për makinat deri në 2,000 kubikë
Ndryshimet e propozuara nuk kufizohen vetëm te automjetet me motorë të mëdhenj. Sipas përllogaritjeve të “Monitor”, edhe makinat me cilindratë deri në 2,000 kubikë do të përballen me rritje të taksës vjetore.
Për automjetet me naftë dhe benzinë në këtë kategori, rritja e detyrimit parashikohet të variojë nga 71% deri në 175%, në varësi të moshës së makinës.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është përfshirja në skemën e taksimit edhe e automjeteve deri në tre vjet të vjetra, të cilat aktualisht përjashtohen nga kjo taksë.
Si ndryshon formula e taksës?
Aktualisht, taksa fikse që përdoret në përllogaritjen e detyrimit vjetor është 12.5 lekë për naftën dhe 10 lekë për benzinën, pa dallim sipas madhësisë së motorit.
Me skemën e re propozohet një ndarje sipas cilindratës:
Makinat deri në 2,000 kubikë: 25 lekë për naftën, 20 lekë për benzinën dhe gazin.
Makinat mbi 2,000 kubikë: 26 lekë për naftën, 21 lekë për benzinën dhe gazin.
Përveç taksës fikse, ndryshime parashikohen edhe në koeficientët e vjetërsisë së automjeteve, të cilët ndikojnë drejtpërdrejt në shumën përfundimtare që paguan pronari.
Shqipëria, ndër vendet me më shumë makina me motorë të mëdhenj
Sipas të dhënave të Eurostat të cituara nga “Monitor”, rreth 30% e automjeteve në Shqipëri, ose afërsisht 300 mijë mjete, kanë motorë mbi 2,000 kubikë. Kjo e rendit vendin ndër shtetet europiane me peshën më të lartë të kësaj kategorie automjetesh.
Preferenca për makinat me motorë të mëdhenj lidhet kryesisht me importin e automjeteve të përdorura nga vende si Gjermania, Zvicra dhe Italia, por edhe me kushtet e terrenit dhe perceptimin e makinës si simbol statusi.
Reforma fiskale synon të zhvendosë barrën e taksimit nga taksa e qarkullimit mbi karburantet drejt detyrimit vjetor të automjeteve. Megjithatë, nëse propozimet miratohen, mijëra pronarë makinash do të duhet të përballen me fatura dukshëm më të larta.
“KORÇA BOOM”
















