Nafta bie nën 100 dollarë, eksperti tregon çfarë pritet të ndodhë me ekonominë shqiptare
Rënia e çmimit të naftës nën 100 dollarë për fuçi pritet të sjellë efekte pozitive në ekonominë globale dhe atë shqiptare, duke ndihmuar në zbutjen e presioneve inflacioniste.
Megjithatë, ecuria e mëtejshme e çmimeve mbetet e lidhur me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare, situatën gjeopolitike dhe rritjen sezonale të konsumit gjatë muajve të dimrit.
Në një intervistë për “Money Report”, eksperti i ekonomisë Artur Ribaj vlerëson se stabilizimi i çmimit të naftës dhe mungesa e përshkallëzimeve të mëtejshme të konfliktit me Iranin përbëjnë sinjale pozitive për ekonominë.
Sipas tij, ulja e çmimit të naftës ndihmon ekonominë globale, ndërsa për Shqipërinë ndikim pritet të ketë edhe paketa fiskale.
Ribaj paralajmëron se dimri mund të sjellë rritje të konsumit të naftës, duke shtuar kërkesën dhe duke ushtruar presion mbi çmime.
“Koha dhe stina e dimrit do të rrisin vetë konsumin e naftës dhe, për këtë shkak, do të ketë rritje të nevojës për konsum dhe, për pasojë, edhe rritje të inflacionit”, shprehet eksperti.
Sa i përket politikës monetare, Ribaj vlerëson se në kushtet aktuale nuk shihet e nevojshme një rritje e mëtejshme e normës së interesit nga Banka e Shqipërisë.
“KORÇA BOOM”
















