Arrestohen 10 policë, dyshohet se torturuan studentët dhe protestuesit
Dhjetë efektivë policie janë arrestuar në Serbi, nën dyshimet për torturë dhe ushtrim dhune ndaj studentëve dhe protestuesve gjatë demonstratave antiqeveritare në Beograd.
Sipas agjencisë Reuters, në pranga kanë përfunduar nëntë policë në detyrë dhe një ish-efektiv. Ata dyshohet se kanë përdorur forcë fizike dhe kërcënime ndaj personave të ndaluar, duke u shkaktuar dhimbje dhe vuajtje të rënda.
Ngjarjet për të cilat po hetohen kanë ndodhur më 14 dhe 15 gusht 2025, në garazhin e një kompleksi qeveritar në qendër të Beogradit.
Sipas Ministrisë së Brendshme serbe, efektivët dyshohet se kanë ushtruar dhunë me qëllim marrjen e informacioneve, frikësimin dhe ndëshkimin e paligjshëm të personave të ndaluar.
Të arrestuarit shërbenin në një njësi elitë të policisë. Autoritetet kanë bërë publike vetëm inicialet e tyre. Arrestimet përbëjnë një nga veprimet e rëndësishme ndaj efektivëve të dyshuar për dhunë gjatë protestave.
Demonstratat në Serbi nisën pas tragjedisë së Novi Sadit, më 1 nëntor 2024, ku shembja e tendës së stacionit hekurudhor shkaktoi vdekjen e 16 personave. Studentët dhe qytetarët dolën në rrugë duke kërkuar përgjegjësi për tragjedinë, luftë kundër korrupsionit dhe ndryshime politike.
Gjatë protestave, demonstruesit denoncuan dhunë fizike dhe pasoja psikologjike, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe mjete për shpërndarjen e turmave.
Hetimi për dhunën e dyshuar policore pritet të vërë në provë institucionet serbe dhe përgjegjësinë e tyre ndaj protestuesve.
“KORÇA BOOM”
















