Alarm për emigrantët në Greqia, qarkorja e re “mbyll derën” për mijëra shqiptarë
- 8 hours ago
- 2 min read
Një qarkore e re për emigracionin në Greqia ka ngritur shqetësime të forta te komuniteti shqiptar, pasi pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rinovimin e lejeve të qëndrimit për mijëra persona.
Në një lidhje televizive, eksperti i çështjeve të emigracionit Etmond Guri shpjegoi se kjo qarkore vjen në vazhdim të ndryshimeve ligjore të vitit 2026 dhe synon të përshpejtojë procedurat vetëm për emigrantët që kanë dokumentacion të rregullt. Sipas tij, risia qëndron te lehtësimi i procedurave për kategoritë e konsideruara “të sigurta”, ndërsa nuk ofron asnjë zgjidhje për ata që ndodhen pa dokumente.
Guri thekson se deri në vitin 2025, legjislacioni grek kishte një qasje më humane ndaj emigrantëve, duke lejuar aplikime për leje qëndrimi edhe për persona që kishin vite të tëra në vend. Por pas këtij viti, sipas tij, është vënë re një ashpërsim i dukshëm i politikave, sidomos ndaj emigracionit të parregullt.
Në muajt korrik dhe gusht 2025, autoritetet në Greqia miratuan ligje të reja që synojnë frenimin e emigracionit të paligjshëm. Këto masa parashikojnë që çdo person pa dokumente të rregullta, nëse ndalohet, fillimisht të dërgohet në qendra ndalimi dhe më pas të përballet me ndëshkime që variojnë nga gjobat deri në burgim nga 1 deri në 2 vjet. Deportimi shoqërohet gjithashtu me ndalim hyrjeje në vend dhe në hapësirën e Bashkimit Evropian për një periudhë nga 5 deri në 10 vjet.
Një tjetër element shqetësues është fakti se edhe në rastet kur vendimi ankimohet, deportimi mund të ekzekutohet menjëherë, ndërsa shqyrtimi i apelimit bëhet më pas, duke rritur ndjeshëm pasigurinë ligjore për emigrantët.
Qarkorja e re prek veçanërisht ata persona që kanë humbur lejen e qëndrimit gjatë vitit të kaluar, por nuk parashikon mundësi të reja për rikuperimin e statusit për kategori të tjera në vështirësi, si personat me probleme shëndetësore apo ata që kanë vite pa dokumentacion të rregullt.
Reagimet nga diaspora shqiptare nuk kanë munguar. Organizata dhe individë të shumtë kanë ngritur alarmin për kostot e larta të proceseve gjyqësore dhe mungesën e sigurisë juridike që po përjetojnë emigrantët në Greqia.
Aktualisht, në këtë vend jetojnë rreth 500 mijë emigrantë të ligjshëm, ndërsa rreth 140 mijë prej tyre janë shqiptarë të pajisur me leje qëndrimi. Megjithatë, vlerësohet se 70–80 mijë shqiptarë e kanë humbur këtë status, një shifër që mbetet shqetësuese, pavarësisht se në rënie.
Ekspertët paralajmërojnë se vështirësitë në sigurimin e dokumenteve, së bashku me mundësitë më të favorshme në vende të tjera të Bashkimit Evropian, po ndikojnë në largimin gradual të shqiptarëve nga Greqia.
“KORÇA BOOM”
















