ALARM/ Rrëshqitjet e dheut nxjerrin familjen nga shtëpia
- 4 hours ago
- 1 min read
Situata në lagjen Beqirefend në Delvinë paraqitet alarmante pas rrëshqitjeve masive të dheut të shkaktuara nga moti i rënduar, duke lënë pas pasoja të rënda për banorët e zonës.
Ibrahim dhe Vera Shehu janë detyruar të braktisin shtëpinë e tyre, pasi banesa u shkatërrua plotësisht nga rënia e një masivi të madh toke dhe e një qeparizi rreth 500-vjeçar, i cili u shemb bashkë me dheun mbi çatinë e tyre. Pamjet në vendngjarje tregojnë dëmtime të mëdha, ndërsa struktura e banesës është bërë e pabanueshme.
Dy të moshuarit rrëfejnë me dhimbje momentet e tmerrit që përjetuan, teksa panë tokën dhe pemën gjigante të rrëzoheshin mbi shtëpinë ku kishin kaluar jetën. Sot ata apelojnë për ndihmë, pasi kanë mbetur pa strehë dhe pa mundësi për ta rindërtuar banesën me forcat e tyre.
Sipas tyre, e vetmja ndihmë e ofruar nga Bashkia Delvinë ka qenë sigurimi i fuqisë punëtore për largimin e qeparizit të rrëzuar. Megjithatë, për strehim të përkohshëm apo zgjidhje afatgjatë nuk u është ofruar asnjë alternativë, duke i detyruar të gjejnë mbështetje tek të afërmit.
Banorët e zonës shprehen të shqetësuar se rrëshqitjet e dheut mund të vijojnë edhe në ditët në vijim nëse kushtet e motit përkeqësohen, ndërsa kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për stabilizimin e terrenit dhe mbështetje për familjen e prekur.
"KORCA BOOM"



















