top of page

Falje gjobash për fermerët, por me një kusht të qartë deri në 2026

  • 2 hours ago
  • 1 min read

Instituti i Sigurimeve Shoqërore u ka bërë thirrje fermerëve dhe të vetëpunësuarve në bujqësi që të paraqiten pranë zyrave të sigurimeve shoqërore në zonën ku banojnë, për t’u informuar mbi detyrimet dhe procedurat e pagesës së kontributeve, në kuadër të zbatimit të ligjit të ri për shlyerjen e detyrimeve tatimore.


Thirrja vjen pas miratimit nga Parlamenti i Shqipërisë të ligjit nr. 86/2025, i cili parashikon fshirjen e gjobave dhe kamatëvonesave për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për këtë kategori, për periudhat e kaluara, sipas kushteve të përcaktuara në nenet 5 dhe 6 të tij.


Sipas dispozitave të ligjit, për periudhat tatimore deri më 31 dhjetor 2014 shuhen plotësisht gjobat dhe kamatëvonesat.


Ndërsa për periudhën nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2024, ato fshihen me kusht që kontributi i plotë të paguhet brenda datës 31 dhjetor 2026.


Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se kjo është një mundësi për fermerët dhe të vetëpunësuarit në bujqësi për të rregulluar detyrimet e prapambetura dhe për të përfituar nga skema e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, pa barrën e penaliteteve të akumuluara ndër vite.

"KORCA BOOM"


bottom of page