Amnistia penale ngec në tryezë, ende pa vendim përfundimtar
- Korca Boom
- 2 hours ago
- 1 min read
Ndonëse ishte paralajmëruar se rreth 380 të burgosur mund të përfitojnë nga amnistia e re penale, deri më tani nuk ka ende një listë konkrete me emra. Projektligji nuk është shpërndarë zyrtarisht tek të gjithë aktorët e interesuar dhe procesi ndodhet në një fazë përgatitore.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të sistemit penitenciar, ku është diskutuar ngritja e grupeve të punës që do të përcaktojnë kriteret për përfituesit e amnistisë. Sipas burimeve, këto grupe do të analizojnë rast pas rasti për të verifikuar përmbushjen e kushteve ligjore.
Projektligji parashikon amnisti për burrat e dënuar deri në 3 vite burg dhe për gratë deri në 4 vite, si dhe ulje dënimi deri në 1 vit për dënimet e shkurtra. Nga kjo amnisti përjashtohen veprat e rënda penale, përfshirë vrasjet, dënimet me burgim të përjetshëm, si edhe veprat e korrupsionit të gjykuara nga strukturat e posaçme të drejtësisë.
Autoritetet bëjnë me dije se pas përfundimit të procesit të filtrimit dhe miratimit të projektligjit, do të publikohet edhe lista përfundimtare e përfituesve.
"KORCA BOOM"



















