AMP nis hetimet ndaj dy efektivëve të policisë, dyshohet për kalimin e një kamioni me drogë
- Korca Boom
- Nov 10, 2025
- 1 min read
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet ndaj dy punonjësve të Policisë së Shtetit në Shkodër, të dyshuar për shpërdorim detyre gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre.
Sipas burimeve zyrtare, bëhet fjalë për efektivët me inicialet B.Q. dhe E.K., të cilët dyshohen se kanë lejuar kalimin e një kamioni me targa boshnjake në pikën kufitare të Hanit të Hotit, ku më pas autoritetet malazeze kanë zbuluar lëndë narkotike.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, Rajoni Shkodër – Lezhë, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, e cila ka caktuar ndaj dy punonjësve të policisë masat e sigurimit personal “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore”, të parashikuara në nenet 242 dhe 234 të Kodit të Procedurës Penale.
Dy efektivët, B.Q., me detyrë ndihmës specialist/kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar “Hani i Hotit”, dhe E.K., trupë shërbimi/kontrollor në vijën e dytë në të njëjtën pikë kufitare, po hetohen për veprën penale “shpërdorim i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse efektivët kanë pasur dijeni apo rol të drejtpërdrejtë në kalimin e mjetit që transportonte lëndë narkotike drejt Malit të Zi.
"KORCA BOOM"



















