Arrestohen tre shtetas sudanezë për ndihmë në kalimin e paligjshëm të kufirit në Korçë
- Korca Boom
- 3 hours ago
- 1 min read
Tre shtetas sudanezë janë arrestuar në qarkun e Korçës, të dyshuar për dhënie ndihme emigrantëve për kalimin e paligjshëm të kufirit drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Sipas të dhënave zyrtare, ata dyshohet se kanë ndihmuar gjithsej 31 emigrantë për të kaluar ilegalisht kufirin e gjelbër në zonën e Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë.
Dy prej të arrestuarve u kapën në fshatin Qatrom, ku ishin fshehur në një banesë të braktisur së bashku me 16 emigrantë. Njëri prej tyre rezulton se ishte dëbuar më parë nga Shqipëria, pasi ishte ndaluar për të njëjtën veprimtari të paligjshme.
Ndërkohë, në një rast tjetër, një shtetas sudanez u arrestua në zonën e Drenovës, nën dyshimin se kishte ndihmuar 15 emigrantë të tjerë për kalimin e paligjshëm të kufirit.
Hetimet për të dyja rastet vijojnë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme ligjore.
"KORCA BOOM"



















