Arrestohet arbitri i njohur dyshohet për krim të rëndë ?
- Korca Boom
- Oct 23, 2025
- 1 min read
Një operacion i madh ndërkombëtar policor në Beograd ka çuar në arrestimin e arbitrit të njohur të basketbollit, Uros Nikoliç, i cili ka gjykuar për vite me radhë në ndeshjet e Euroligës. Sipas mediave serbe, Nikoliç është ndaluar së bashku me dhjetë persona të tjerë, të dyshuar si pjesë e një rrjeti kriminal aktiv në Serbi dhe jashtë saj.
Gjatë kontrollit të zhvilluar në banesën e tij, policia ka sekuestruar 250 mijë dollarë në para të gatshme dhe disa shufra ari. Hetimet paraprake dyshojnë se Nikoliç ka pasur lidhje me të ashtuquajturin “klani Vračarci”, një grup i njohur kriminal i përfshirë në disa ngjarje të rënda, përfshirë dy vrasje dhe tre tentativa vrasjeje të ndodhura vitet e fundit.
Nikoliç, i cili ka qenë një nga arbitrat më aktivë të basketbollit evropian, është përmendur shpesh në media për shkak të polemikave në fushën e lojës. Ai ka arbitruar ndeshje të rëndësishme në Euroligë, përfshirë përplasjen mes Olimpia Milano dhe Olympiacos, ku vendimet e tij ngjallën debate të forta në botën e sportit.
Nuk është hera e parë që emri i tij përmendet në kontekste problematike. Në vitin 2021, klubi i Yllit të Kuq të Beogradit e akuzoi Nikoliçin për dëmtimin e dhomës së zhveshjes pas një ndeshjeje të tensionuar.
Autoritetet serbe po vazhdojnë hetimet për të zbuluar rolin e plotë të arbitrit në këtë rrjet kriminal, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë edhe arrestime të tjera të lidhura me këtë çështje.
"KORÇA BOOM"



















