Arrestohet dhe lirohet pas 12 orësh Prince Andrew, hetimet për dosjen “Epstein” vijojnë
- 8 minutes ago
- 1 min read
Autoritetet britanike kanë liruar pas disa orësh marrje në pyetje ish-princin Prince Andrew, i përfshirë në hetimet që lidhen me dosjen “Epstein” dhe dyshime për shpërdorim detyre.
Sipas njoftimit zyrtar të Thames Valley Police, ai u arrestua dhe u mbajt në paraburgim për rreth 12 orë, ndërsa hetimet ndaj tij vijojnë. Autoritetet britanike theksuan se, megjithëse është liruar, procedurat hetimore janë ende në zhvillim.
Arrestimi vjen në kuadër të shqyrtimit të një ankese që lidhet me pretendime për shpërndarje materialesh konfidenciale te i ndjeri Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale. Policia bëri me dije se janë kryer kontrolle në disa adresa në Berkshire dhe Norfolk.
Fotografia e parë pas daljes nga komisariati, e publikuar nga Reuters, e tregon Andrew të shoqëruar nga policia, i ulur në një automjet dhe me pamje të tensionuar, ndërsa përpiqet të shmangë kamerat.
Ish-princi, Andrew Mountbatten Windsor, u arrestua në ditën kur mbushte 66 vjeç. Deri tani, policia nuk ka dhënë detaje të mëtejshme mbi hapat e ardhshëm, por theksohet se hetimi për sjellje të papërshtatshme në detyrë publike mbetet i hapur dhe mund të ketë pasoja të rënda ligjore nëse vërtetohen akuzat.
"KORCA BOOM"



















