top of page

Arrestohet efektivi i Policisë, dy të tjerë nën hetim për shpërdorim detyre

1 day ago
1 min read

Një efektiv i Policisë është arrestuar në flagrancë në Durrës, ndërsa dy punonjës të tjerë të Komisariatit të Policisë janë proceduar në gjendje të lirë, në kuadër të një operacioni të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).


Operacioni është finalizuar më 15 shtator 2026, pas një hetimi të zhvilluar me metoda speciale nga Drejtoria Rajonale Durrës-Kavajë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të AMP-së dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.


Në pranga ka rënë efektivi S.M., me detyrë Trupë Shërbimi Patrullë e Përgjithshme. Ai dyshohet për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.


Ndërkohë, në gjendje të lirë janë proceduar edhe dy punonjës të tjerë të Komisariatit të Policisë Durrës.


Bëhet fjalë për S.H., me detyrë Specialist për Rendin, dhe A.K., me detyrë Trupë Shërbimi Patrullë e Përgjithshme. Të dy dyshohen për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.


Sipas AMP-së, hetimi është zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 100/2026 dhe ka në fokus dyshimet për korrupsion dhe shpërdorim detyre nga punonjës të strukturave të Policisë.


Pas përfundimit të veprimeve procedurale, materialet janë referuar në organin e Prokurorisë, i cili do të vijojë me veprimet e mëtejshme sipas ligjit.


Agjencia e Mbikëqyrjes Policore deklaron se do të vijojë ushtrimin e kompetencave të saj ligjore për evidentimin, dokumentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë, korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në radhët e punonjësve të strukturave që mbikëqyr.

“KORÇA BOOM”


bottom of page