Arrestohet kryegardiani për lidhje me v*asjen
- 1 hour ago
- 1 min read
Autoritetet greke kanë arrestuar kryegardianin e Burgut të Domokos, i dyshuar për bashkëpunim në vrasjen e 43-vjeçarit grek Yannis Makris, ngjarje e ndodhur brenda ambienteve të sigurisë së lartë të institucionit.
Sipas hetimeve paraprake, autor i krimit dyshohet të jetë një shtetas bullgar, i dënuar me burgim të përjetshëm, i cili e qëlloi me armë zjarri Makris brenda qelisë. Versioni fillestar se autori ka arritur të shmangë kontrollin e rojave nuk ka bindur hetuesit, të cilët tashmë dyshojnë për një skenar të organizuar nga brenda burgut, për motive ende të paqarta.
Në qendër të hetimeve është vendosur kryegardiani i arrestuar, i cili akuzohet se mund të ketë lehtësuar rrethanat që çuan në kryerjen e krimit. Mediat greke raportojnë se ai është gjithashtu baxhanaku i një shtetasi shqiptar të dënuar për krime të rënda, i cili ishte arratisur më herët nga i njëjti burg pasi kishte përfituar leje në rrethana të dyshimta.
Po ashtu, sipas raportimeve, në hetim është përmendur edhe emri i Alket Rizai, si person që mund të ketë pasur dijeni apo rol në ngjarje, duke qenë se ndodhej pranë vendit të krimit. Megjithatë, përfshirja e tij mbetet në fazë verifikimi.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e vrasjes dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një akt të organizuar me bashkëpunim nga brenda sistemit penitenciar.
"KORCA BOOM"
















