Gjykata jep 5 vite e 6 muaj burg për dhunë në familje
top of page

Gjykata jep 5 vite e 6 muaj burg për dhunë në familje

  • 2 hours ago
  • 1 min read

Në Selanik, një 28-vjeçar shqiptar është dënuar me pesë vite e gjashtë muaj burg për dhunë në familje, pasi akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij në sy të fëmijëve të mitur.


Sipas aktakuzës, episodet e dhunës kanë ndodhur gjatë viteve 2023–2024, si në Selanik ashtu edhe në Korinth, ku çifti jetonte. Prokuroria argumentoi se bëhej fjalë për një sjellje të përsëritur dhe sistematike, e cila kishte krijuar një klimë frike dhe pasigurie brenda familjes.


Në dëshminë e saj para gjykatës, 27-vjeçarja përshkroi periudhën e vështirë që kishte kaluar, duke folur për një marrëdhënie që kishte nisur që në moshë të mitur dhe që, sipas saj, ishte shoqëruar me dhunë të vazhdueshme. Ajo theksoi se ngjarjet kishin ndodhur edhe në prani të fëmijëve, çka e rëndonte më tej situatën.


Gjykata vendosi dënimin me burgim prej pesë vitesh e gjashtë muajsh, duke e konsideruar të provuar ushtrimin e dhunës dhe pasojat e saj në familje.

"KORCA BOOM"


bottom of page