top of page

Babai e harroi vajzën në makinë, ndërron jetë 2-vjeçarja!

  • 2 days ago
  • 1 min read

Një vajzë 2-vjeçare ka humbur jetën në Spanjë pasi mbeti për disa orë e mbyllur në makinën e familjes, në një incident tragjik që ndodhi në qytetin Brion, në rajonin e Galicisë.


Sipas mediave spanjolle, fëmija pësoi arrest kardiak si pasojë e temperaturave shumë të larta brenda automjetit. Dyshohet se babai harroi ta çonte vajzën në çerdhe, pasi u shpërqendrua nga një telefonatë gjatë rrugës së mëngjesit.


Më herët, ai kishte lënë fëmijën tjetër të familjes në shkollë dhe më pas ishte nisur drejt punës, pa kuptuar se 2-vjeçarja kishte mbetur në sediljen e pasme të makinës.


Alarmi u dha disa orë më vonë, kur nëna shkoi në çerdhe për të marrë vajzën dhe u informua se ajo nuk kishte qenë fare atje gjatë ditës. Prindërit njoftuan menjëherë shërbimet e emergjencës, por ekipet mjekësore nuk arritën ta shpëtonin fëmijën.


Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, ndërsa autoritetet lokale bëjnë të ditur se familja po merr mbështetje psikologjike.


Këshilli bashkiak i Brion shpalli dy ditë zie në kujtim të vajzës dhe njoftoi mbajtjen e një minute heshtjeje. Në deklaratën zyrtare, autoritetet lokale shprehën ngushëllimet për familjen dhe premtuan mbështetje të plotë komunale.


Ngjarja ndodhi në një periudhë kur Spanja po përballet me temperatura të pazakonta për muajin maj. Agjencia meteorologjike shtetërore “Aemet” paralajmëroi se temperaturat në disa zona të vendit mund të arrijnë deri në 38 gradë Celsius. Meteorologët theksojnë se valët e të nxehtit ekstrem po shfaqen gjithnjë e më herët gjatë viteve të fundit./ Pamfleti

“KORÇA BOOM”


bottom of page